“Janë relativisht mirë me shëndet”: Sveçla takon tre policët e liruar - NACIONALE

“Janë relativisht mirë me shëndet”: Sveçla takon tre policët e liruar

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjendja e tyre shëndetësore fizike “është relativisht e mirë”, ka njoftuar Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, pas vizitës së tij te tre policët e rrëmbyer kosovarë të cilët u liruan për t’u mbrojtur në liri nga shteti serb. Sveçla tha se tre policët kanë “vullnet të fortë” për të vazhduar detyrat e tyre.

Sveçla kërkon që Serbia “të mbahet përgjegjëse për agresionin ndaj Kosovës” dhe rasti i “montuar” ndaj policëve tanë “duhet të mbyllet pa kushte dhe në tërësi”.

Komunikata e plotë e MPB-së:

Ministri i Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla bashkë me menaxhmentin e Policisë së Kosovës ka pritur sot në takim tre zyrtarët policorë kufitar z. Rifat Zeka, z. Beqir Sefi dhe z. Mustafë Shema, të cilët ishin kidnapuar nga njësitet policore-ushtarake të Serbisë, brenda territorit të Republikës së Kosovës, në kohën kur ata ishin në detyrë zyrtare.

Që të tre zyrtarëve policorë në seancën e sotme gjyqësore në Kralevë i’u është konfirmuar aktakuza dhe janë liruar me procedurë të rregullt, çka nënkupton se ndaj të njëjtëve do të vijojnë thirrjet dhe përndjekjet nga Serbia.

Gjendja e tyre shëndetësore fizike është relativisht e mirë por me vullnet të fortë dhe kurajë për të vazhduar detyrën në mbrojtje të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë.

Ministri Sveçla shprehi mbështetjen e të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës duke theksuar përkushtimin që ky rast i paprecedentë i Serbisë të mos kalojë pa përgjegjësi. Ky rast i montuar ndaj pjesëtarëve të Policisë duhet të mbyllet pa kushte dhe në tërësi. Serbia duhet të gjykohet për agresionin e saj.

Lajme të ngjashme