Jam operator raketash nukleare: Shumë shpesh kemi mundur t’i lëshonim gabimisht
Si një 22-vjeçar kam kontrolluar një raketë bërthamore që mund të çonte në ajër një metropol të tërë. E që kur Rusia pushtoi Ukrainën, publikut po i kthehet vetëdija sërish për rreziqet ekzistenciale të armëve bërthamore
Nga viti 2012 deri në vitin 2017, kam punuar si operator i raketave bërthamore të forcave ajrore amerikane. Unë isha 22 vjeç kur fillova, e sa herë që zbrisja në vendin e raketave, më duhej të isha i gatshëm në çdo moment që ta lëshoja. Ta lëshoj një armë bërthamore që mund të fshinte nga faqja e dheut një qytet me madhësinë e Nju Jorkut.
Në derën masive të qendrës së kontrollit të lëshimit, dikush kishte pikturuar një mural të logos së picës Domino's me mbishkrimin makabër, "Nëse dorëzimi në mbarë botën nuk bëhet në 30 minuta ose më pak, tjetra është falas”.
Që kur Rusia pushtoi Ukrainën, kam dëgjuar më shumë diskutime për luftën bërthamore se sa kam dëgjuar përgjatë nëntë viteve që kam veshur uniformën e forcave ajrore. Më vjen mirë që njerëzit më në fund po diskutojnë për rreziqet ekzistenciale të armëve bërthamore. Ka pasur shumë më shumë raste se sa i di bota të raketave që gati janë lëshuar gabimisht.
Në vitin 1980 në Arkansas, një pilot i quajtur Greg Devlin, ishte caktuar në një ekip të raketave balistike ndërkontinentale (ICBM). Një natë ai u mor me një rrjedhjeje në rezervuarin e karburantit të raketës. Një piloti të ri, i cili punonte në një tub lëshimi ICBM, nga kutia e veglave të tij i kishte rënë aksidentalisht një prizë, e cila gjatë rënies poshtë kishte shpuar një vrimë në rezervuarin e karburantit. Karburanti i lëngshëm i raketës kishte shpërthyer menjëherë, ndërsa Devlin nga ky shpërthim ishte hedhur rreth 60 metra në një rrugë të asfaltuar nga ku edhe kishte parë teksa ngrihej një top zjarri masiv.
ICBM kishte një raketë prej nëntë megatonësh - arma bërthamore më e fuqishme në historinë amerikane. Kur kjo raketë kishte shpërthyer gjatë natës, koka e saj ishte zhdukur diku në pyll.
“Isha i shtangur dhe kisha dhimbje, por e dija që bërthama nuk kishte rënë”, më tha Devlin, “sepse më kujtoheshin ato histori nga Hiroshima ku njerëzit ishin kthyer në copëza të vogla si qymyri. Unë isha gjallë. Kështu që e dija që bërthama nuk shpërtheu.” Edhe pse koka bërthamore nuk shpërtheu, aksidenti i mori jetën një piloti dhe plagosi 21 të tjerë, përfshirë Devlin.
Gjatë kohës kur po stërvitesha si operator i raketave bërthamore, instruktori im më tregoi historinë e asaj që ndodhi në Arkansas atë natë të vitit 1980. Është një histori e famshme brenda komunitetit të raketave. Histori si këto ishin një mënyrë për t'u bërë ditur oficerëve të rinj integritetin e kërkuar për të qenë një kujdestar i mirë i këtyre armëve dhe një paralajmërim se sa shpejt gjërat mund të shkojnë keq. Ai paralajmërim ishte shumë në mendjen time kur fillova "alarmin" tim të parë në bodrumin klaustrofibik të raketave nëntokësore, aty ku gjendej qendra e kontrollit të lëshimit.
Gjatë eksperiencës sime drejt afro 300 “alarmeve” bërthamore, në ndrrime 24-orëshe në komandë të një ekuipazhi lëshues të raketave, fillova ta trajtoja këtë histori si një taktikë frikësuese për fillestarët. Megjithatë, mendoj se pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, për publikun e gjerë, kërcënimi i një luftë bërthamore filloi të bjerë në plan të dytë. Kërcënimi nuk ndihej më real për gjeneratat e reja ashtu siç ndihej për ata që gjatë stërvitjeve të sulmeve bërthamore ishin rritur duke u fshehur poshtë bankave të shkollës fillore.
Nderkohë, ekuipazhet e reja që sot administrojnë këtë arsenal bërthamorë nuk janë të imunizuar nga gjendja e pas luftës së ftohtë. Në vitin 2013, gjatë vitit tim të parë në ekuipazh,11 oficerë të ICBM-së ishin të përfshirë në një skandal droge. Në vitin pasues, në provimin e përmuajshëm të aftësisë 34 oficerë të lëshimit të raketave, dolën të përfshirë në një skandal mashtrimi.
Në atë kohë, sekretarja e Forcave Ajrore, Deborah Lee James, tha se: “Ky ishte një dështim i integritetit nga ana e disa prej pilotëve tanë. Nuk ishte dështim i misionit tonë bërthamor.”
Në këtë përpjekje për të mbrojtur fytyrën, sekretarja James zbuloi një gjendje mospajtimi me të cilën jeton çdo operator i raketave bërthamore. Ditë pas dite neve na thuhet se, integriteti ynë është thelbësor për vlerën parandaluese të armëve bërthamore dhe ndihmon për ta bërë botën një vend më të sigurt. Por cili burrë apo grua me integritet mund të lëshojë një armë bërthamore?
Se jeta me armë bërthamore nuk është më e sigurtë apo paqësore, tani po na e kujton lufta në Ukrainë. Nëse studioni për luftën bërthamore, do të mësoni për "megatonët" dhe rendimentet bërthamore, rezervat dhe shpenzimet buxhetore. Këta numra përcaktojnë rrezikun e madh të armëve bërthamore, por gjithashtu e bëjnë atë rrezik të paqartë, duke e turbulluar.
Por, Greg Devlin nga përvoja e tij me raketa ka një grup numrash të ndryshëm.
“Që nga ai shpërthim, unë kam pasur 13 operacione në shtyllën kurrizore dhe dy stimulues të shtyllës kurrizore. Kam jetuar dekadën e fundit të jetës sime me morfinë”, tha Devlin.
Armët bërthamore i kthejnë pjesët më të rëndësishme të jetës në asgjë më shumë se numra - që është pikërisht procesi i nevojshëm i mendimit për një shoqëri që beson se lëshimi i një rakete bërthamore është një zgjidhje e qëndrueshme për konflikte. Sepse në vazhdën e një sulmi bërthamor nuk do të ketë më individë, vetëm numra.
Ky është një shkrim i publikuar në The Guardian, nga shkrimtari dhe regjisori Cole Smith.