Jakurti: 100 eurot e vitit 2019 sot vlejnë vetëm 78 euro – inflacioni e ka gërryer ndjeshëm fuqinë blerëse - NACIONALE

Jakurti: 100 eurot e vitit 2019 sot vlejnë vetëm 78 euro – inflacioni e ka gërryer ndjeshëm fuqinë blerëse

6 muaj më parë

nga NACIONALE

Ish-zëvendësministri në qeverinë Kurti I dhe doktoranti i ekonomisë, Edison Jakurti, ka nxjerr të dhënat mbi rënien drastike të fuqisë blerëse në Kosovë, duke ilustruar përmes shifrave se si inflacioni ka zhvlerësuar paranë e qytetarëve në vitet e fundit.

Përmes një analize të publikuar, Jakurti ka shpjeguar dallimin thelbësor midis vlerës nominale (shifra në kartëmonedhë) dhe vlerës reale (çfarë mund të blesh me ato para).

Sipas ekspertit të ekonomisë, ndonëse në letër 100 euro mbeten gjithmonë 100 euro, rritja e çmimeve ka bërë që vlera e tyre reale të bjerë ndjeshëm.

Viti 2014: Me 100 eurot e vitit 2019, mund të blinim mallra e shërbime që vlejnë 105 euro.

Viti 2025: 100 eurot e vitit 2019, sot kanë fuqinë blerëse të vetëm 78 eurove.

Postimi:

Në bazë të indikatorit kryesor makroekonomik (Bruto Produktit Vendor) në Kosovë nuk mund të flitet për krizë ekonomike, por për një rritje të pamjaftueshme që nuk përkthehet në zhvillim ekonomik. Grafiku më poshtë paraqet trendin aktual të BPV-së nga 2009 deri në vitin 2025, në bazë të të dhënave nga Banka Botërore, si dhe një skenar kundërfaktik.

Ky skenar supozon se, nëse COVID-19 nuk do të kishte ndodhur, rritja ekonomike do të kishte vazhduar trendin mesatar 10-vjeçar të periudhës pas pavarësisë.

Krahasimi mes këtij skenari dhe rritjes që në fakt ka ndodhur na lejon të përllogarisim koston ekonomike të pandemisë. Për dallim nga kostoja e kontabilitetit, në kosto ekonomike përfshihet kostoja oportune, që në këtë rast është humbja e rritjes ekonomike si pasojë e pandemisë.

Sipas të dhënave të ASK-së, rritja reale ekonomike vjetore në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 ka qenë 3.7%. Edhe nëse supozojmë se gjatë gjithë vitit 2025 rritja vjetore do të arrijë 6% (një skenar tejet optimist), përfundimi mbetet i njëjtë: edhe pesë vite pas pandemisë, ekonomia e Kosovës nuk është rimëkëmbur plotësisht nga pasojat e COVID-19.

Dhe nëse një ekonomi nuk arrin të rimëkëmbet as pesë vite pas një shoku të tillë, atëherë nuk mund të flasim për zhvillim ekonomik. Më e shumta që mund të thuhet është se kemi të bëjmë me një rritje të pamjaftueshme për zhvillim.

Lajme të ngjashme