Jakna “e shtrenjtë/lirë?” e Durmishit që “nxeu” rrjetet sociale, çka u tha?
“Kurrë vesh rrobë mbi 100 euro s’kam”, tha Zëvendës Ministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi mëngjesin e sotëm në një përgjigje për Nacionalen pasi rrjetet sociale vërshuan me komente dhe kritika rreth një jakne të tij që veshi mbrëmë gjatë inspektimit të pastrimit të rrugëve nga bora.
Kjo jaknë e Durmishit, që në dukje (nëse nuk është falso) është e markës Canada Goose, u gjet në internet me çmim rreth 1 mijë e 320 euro.
Kjo zgjoi debat dhe polemikë te shumëkush, e ku mes tjerash, një reagim të ashpër e pati gazetari Lirim Mehmetaj në Facebook, si dhe një mori pyetjesh ngriti edhe gazetari Ilir Mirena.
Mehmetaj e merr për fakt të kryer se Durmishi e ka të veshur “një vidhnjak prej 1 mijë e 985 dollarësh (kanadezë)” teksa u parapërgjigj për të se “kur ta pyesin ku i more paret ka me thënë nga shuma që më ka dalë si i burgosur politik”.
Mirena kërkoi nga Durmishi “që të sqarojë punën e jaknës mbi 1 mijë e 300 dollarëshe”,
“A e ki dhuratë, nëse e ki dhuratë, kush ta ka dhuru, dhe a e ke deklaru dhuratën që e keni obligim ligjor? Nëse s’e ke dhuratë, me na sqaru se si në muajin kur e ke ble ia ke dal me shpenzimet tjera, faturat, ushqimin, çerdhe të fmëijëve, e të tjera, pra si ja ke dal atë muaj, sepse aq e ke rrogën”, ka shkruar Mirena.
Nacionale i është drejtuar zv/ministrit Durmishit me këto pyetje. I njëjti kategorikisht e ka mohuar se ka blerë jaknë me aso çmimi.
“Haj zoti na rujt...unë s’ka mundësi me ble jakne 2 mijë euro”, na tha Durmishi.
Për më tepër “kurrë një jetën time rrobë në trup mbi 100 euro s’kam veshur”, na thotë Durmishi teksa thotë se edhe këtë po aq e ka blerë: 100 euro.
"Këtë jakne e kam ble në Fushë Kosovë te butiku Urban, 100 euro”, tha Durmishi për Nacionalen.
Por, Durmishi s'ka ide për firmën, e që nëse ka kushtuar e njëjta 100 euro i bie është kopje ose imitim i produktit origjinal, e që automatikisht përbën vepër penale; në këtë rast për shitësin.

“Mundeni me shku e me kqyr sa kushton. As s’e kam kqyr çfarë firme është as sen, nuk më interesojnë këto sende. M’u dukë e mirë për dimër dhe e morra”.
Durmishi, na thotë se “unë as që kam mundësi me ble jakne 2 mijë euro”.
“Por, s’po kanë me çka mu marrë po duhet m’u marrë me çka po veshi”, përfundoi Durmishi.
Ndërkaq, Durmishi nuk u deklarua për kërkesat tjera, ku rrjetet sociale janë mbushur edhe me krahasime të tjera të rrobave dhe veshjeve të tjera, edhe të bashkëshortes së tij, ku poashtu një jaknë e ngjashme gjendet të kushtojë mbi 2 mijë dollarë.
Durmishi zgjodhi të injorojë tërë debatin, duke publikuar fotografi nga terreni të rrugëve të pastuar nga bora.
“Të gjitha rrugët që mena(xh)ohen nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës janë të pastruara dhe në gjendje të mirë”, ka shkruar veç Durmishi.