Iu përmend emri në Hagë, deputeti i VV-së: Gani Krasniqi kurrë nuk është fshehë, as nuk fshehet - NACIONALE

Iu përmend emri në Hagë, deputeti i VV-së: Gani Krasniqi kurrë nuk është fshehë, as nuk fshehet

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Deputeti i LVV-së, Gani Krasniqi ka komentuar deklaratat e dëshmitarit në Gjykatën Speciale kundër ish-krerëve të UÇK-së, se marrëdhëniet mes UÇK-së dhe LDK-së, “nuk ishin bash të mira”.

“Nuk ishin edhe bash të mira marrëdhëniet e LDK-së me njësitet në Malishevë, edhe pse ishin një masë e madhe të kyçur. Por nuk kanë qenë edhe bash raportet e shëndosha, sepse vazhdimisht ka pasur presione që LDK ta pushojë aktivitetin në Malishevë,”- ishte deklarata e dëshmitarit në Hagë, i cili tutje, i pyetur se kush i ushtronte këto presione, u përgjigj me fjalët:

“E ushtronte drejtoria politike e UÇK-së që ishte në Malishevë”, ndërsa më pas tregon se komandant për Malishevë ka qenë Gani Krasniqi.

Pas këtyre fjalëve, një ndër themeluesit e parë të UÇK-së, tashmë deputet i VV-së, Gani Krasniqi ka thënë për Sinjalin se, “ai që e ka thënë, kur t’i vjen puna le ta thotë që kanë qenë marrëdhëniet e kqija më së pari te unë”.

“Ai, kush ka thënë, unë jam ndër themeluesit e parë të UÇK-së në Kosovë dhe në pjesën e Malishevës. Ai që ka thënë, kur t’i vjen puna le ta thotë që kanë qenë marrëdhëniet e kqija më së pari te unë. Unë atëherë në kuadër të LDK-së kam qenë kryetar i këshillit të financave dhe nuk dua të merrem me atë, sepse ai duhet të m’i thotë mua. Në kohën kur ka filluar lufta nuk ka pas më parti – ka pas UÇK, mbështetës të çlirimtarëve edhe kështu,”-është shprehur Krasniqi.

Ai më tej ka shtuar se gjithnjë do të përballet me të vërtetat në lidhje me luftën e UÇK-së.

“Gani Krasniqi kurrë nuk është fshehë as nuk fshehet. Krejt jetën e kam pas luftë, edhe tash e kam luftë. Luftë për ta ndërtuar shtetin, për ta bashkuar kombin,“- ka shtuar tutje ai.

Kujtojmë se në vitin 2019, Krasniqi ishte i ftuar si dëshmitar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Ndërsa, i pyetur më tej për gatishmërinë e tij për të dëshmuar sërish, ai tha që mezi pret ta vazhdojë dëshminë që e ka dhënë kohë më parë.

“Natyrisht se do ta jap dëshminë time. Unë mezi pres për ta vazhduar dëshminë që e kam dhënë kohë më parë”.

Si përfundim, Krasniqi, Gjykatën Speciale e ka quajtur gjykatë politike duke shtuar se nuk beson në drejtësinë e saj.

“Po të isha pyetur unë, për mua kjo gjykatë nuk do të kishte egzistuar sepse është gjykatë politike e njëanshme. Këtë e kanë themelu pikërisht këta që janë atje edhe e ka themelu Kuvendi im, ka gabu,“- ka thënë Krasniqi.

Lajme të ngjashme