Isha prezent edhe unë: Kolonel Mark Shala reagon ashpër ndaj Gjeneral Rrahim Ademit - NACIONALE

Isha prezent edhe unë: Kolonel Mark Shala reagon ashpër ndaj Gjeneral Rrahim Ademit

4 vjet më parë

nga NACIONALE

SHKRUAN: Kolonel Mark SH A L A

Si një nga ushtarakët dhe pjesëmarrësit në luftën e Kroacisë e më vonë edhe në luftën në Kosovë, jam ndier shumë i zhgënjyer nga një intervistë skandaloze e gjeneral Rrahim Ademit në RTK. Si një bashkëluftëtar dhe i njohur i tij i dikurshëm, jam befasur nga niveli i tij i ulët i komunikimit, i padenjë për një gjeneral, i cili versionin e tij për ngjarjet dhe të pavërtetat e tij mundohet t’i shesë si të vërteta absolute.

Kjo sjellje e çekuilibruar dhe ky ves i tij e ka bërë që të humbë respektin edhe të shumë luftëtarë dhe drejtuesve të luftës në Kroaci, të cilët i kanë reaguar edhe publikisht për shumë të pavërteta që i ka thënë në librin e tij “Samo istina”. Ata që i përcjellin zhvillimet në Kroaci e dinë se për çka e kam fjalën.

Po thelbi i reagimit tim nuk ka të bëjë me këtë. Reagimi im është për disa të pavërteta që i ka thënë gjeneral Ademi për disa takime ku kam qenë prezent edhe unë, dhe kur është biseduar për luftën në Kosovë. Çuditërisht gjatë intervistës, ai me ose pa qëlllim, ma përzien edhe emrin tim dhe më quan Naim Shala, edhe pse më njeh fort mirë.

Më vjen keq që duhet të bie në nivelin e tij dhe t’ia përmend disa gjëra që në kushte të tjera nuk do t’ia përmendja, por është fort e ulët tendenca e tij për të mohuar kontributin e shqiptarëve tjerë në luftën e Kroacisë. Sidmomos, është i turpshëm mosvlerësimi nga ana e tij i kontributit të shqiptarëve që ranë për lirinë e Kroacisë. E ky numër nuk është i vogël .

Edhe në rastin kur përmendi Heroin e Kosovës, Bekim Berishën - Abenë, ai injoroi kontributin e tij duke thënë “po, ka qenë një ushtar i thjeshtë”. Me këtë vlerësim ai nuk ofendoi vetëm Abenë, po të gjithë bashkëluftëtarët e tij, për të cilët ai ka qenë frymëzim. Gjeneral Bobetko dhe shumë gjeneralë kroatë e vlerësojnë lart figurën e Bekim Berishës, gjë që nuk e bëri gjeneral Ademi. Bekim Berisha është hero, kurse gjeneral Ademi edhe 100 jetë po t’i ketë, nuk do ta arrijë lavdinë dhe madhështinë e tij.

Unë nuk e di se kush e ka porositur dhe sponzorizuar këtë intervistë dhe cili ka qenë qenë qëllimi i saj, por ata që e kanë këshilluar ta bëjë një gjë të tillë i kanë bërë një shërbim të keq gjeneral Ademit. E kanë bërë të duket shumë i vogël dhe ia kanë shpërfaqur karakterin e tij inatçor. Njeriu ka kohë të koritet gjithmonë, veç nuk ka gjë më të keqe se me u koritë në pleqëri.

Por, t’i kthehemi thelbit të reagimit. Cilat janë të vërtetat e takimeve me Rrahim Ademin, kur përveç meje ka edhe dëshmitarë të tjerë? Po ia rikujtoj gjeneral Ademit (se i kishte harruar emrat, ashtu siç kishte harruar shumëçka tjetër) se në takimin e Splitit të mbajtur në vitin 1998 kanë qenë të pranushëm Gjeneral Tomë Berisha, Halil Bicaj, Ramiz Beiqi, Bedri Selmani, Fadil Demiri, unë - Mark Shala, dhe Gjeneral Agim Çeku si iniciues i takimit. Edhe në atë takim, edhe në takimet tjera, gjeneral Ademi ka mohuar kategorikisht mundësinë për të udhëhequr UÇK-në dhe për t’u bërë pjesë e saj. Bile është munduar t’i dekurajojë edhe të tjerët që kanë treguar vullnet për t’iu bashkuar luftës në Kosovë. Po ashtu, po ia rikujtoj edhe takimet që kemi pasur bashkë me gjeneral Çekun në shtëpinë e gjeneral Ademit, ku ka qenë e pranishme edhe bashkëshortja e tij, Anita. Rrahim Ademi e di fort mirë si kanë shkuar këto takime, po për hir të korrektësisë dhe miqësisë se dikurshme po e kursej nga detajet e atyre takimeve. Megjithatë, unë jam i gatshëm që të ballafaqohem edhe publikisht me gjeneral Ademin, për t’i sqaruar pretendimet e tij, kurdoherë që ai është gati.

Gjeneral Ademi u tregua shumë jokorrekt edhe në raport me gjeneral Agim Çekun, kur tha se “ka qenë një ushtar imi që nuk ka treguar ndonjë sukses”. Fakti që në një periudhë të luftës në Kroaci gjeneral Ademi ka rastisur të ketë përgjegjësi më të lartë komanduese se gjeneral Çeku, nuk duhet ta bëjë xheloz dhe të frustuar gjeneral Ademin për sukseset e tij. Përkundrazi, ai do të duhej të ndihej krenar që një ish-bashkëluftëtar i tij ka arritur majat e suksesit, jo vetëm në Kroaci, por edhe Kosovë, ku ka drejtuar me sukses UÇK-në, ka marrë vlerësimet maksimale nga NATO-ja, dhe është graduar me gradën e gjeneral-lejtnantit. Gjeneral Ademi do të duhej të ndihej mirë që një ish-koleg i tij është bërë edhe kryeministër i Kosovës.

E se a ka qenë apo jo i sukseshëm gjeneral Çeku në luftën e Kroacisë, e tregon fakti se ai është vlerësuar dhe dekoruar me dekoratat më të larta nga Presidenti Tuxhman dhe shteti kroat, të cilat u janë ndarë vetëm njerëzve me merita dhe suksese të jashtëzakonshme në luftën e Kroacisë. Po ashtu, i rikujtoj Gjeneral Ademit, se gjeneral Çeku e ka kryer Akademinë Ushtarake me notë mesatare 9.54, ndërsa nuk besoj se gjeneral Ademi të ketë pasur më shumë se 6.0 notën mesatare në Akademi.

Duke i njohur mirë që të dy, e di se gjeneral Çeku ka treguar gjithmonë respekt dhe është treguar korrekt me Gjeneral Ademin, edhe kur ai nuk e ka merituar.

Në fund po i them gjeneral Ademit se nuk i ka faj as gjeneral Çeku dhe askush që nuk ka hyrë në historinë e Kosovës dhe nuk është bërë pjesë e lavdisë së UÇK-së. Fajin duhet ta kërkojë te mosgatishmëria, te mosvullneti i tij dhe te mosbesimi në luftën për çlirimin e Kosovës.

Prandaj, mungesën e krenarisë dhe lavdisë në Kososvë, ai nuk mund ta kompensojë duke thënë të pavërteta dhe duke u përjekur të ulë dhe të përçmojë të tjerët.

Lajme të ngjashme