Ish-zëdhënësi i NATO-s: Serbia e di përgjigjen e KFOR-it në kërkesën e saj
Ish-zyrtari i lartë i NATO-s, Jamie Shea ka folur për situatën e krijuar në veri të vendit.
Ai për Klan Kosova ka thënë se KFOR-i duhet të përcaktojë se kur dhe si duhet t’i përgjigjet kërkesës së palës serbe, ndonëse shtoi se ata e kanë ditur përgjigjien edhe para se ta bënin kërkesën.
”I takon KFOR-it të përcaktojë se çfarë dhe kur t’i përgjigjet kërkesës së Beogradit, por jam i bindur se autoritetet serbe tashmë e dinin përgjigjen edhe para se të formulohej kërkesa. Kreu i Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s, Napoli (përgjegjës për Kosovën), ishte në Beograd të hënën për të folur me presidentin Vuçiq, kështu që jam i bindur se janë dërguar mesazhet e duhura në lidhje me nevojën për të punuar për qetësi dhe depërshkallëzimin”, ka thënë ai.
Shea, tutje theksoi se ”Do të ishte më mirë që Serbia t’i përqendronte përpjekjet e saj në parandalimin e radikalëve të krahut të djathtë që të përpiqen të hyjnë në Kosovë për të nxitur telashe ose të tentojnë të kapin pikat kufitare siç ndodhi gjatë fundjavës”.
Në anën tjetër, Shea tha se Serbia duhet të jetë e vendosur se cilit kamp dëshiron t’i përkasë.
”Serbia gjithashtu duhet të vendosë se cilit kamp dëshiron t’i përkasë: demokracive liberale që punojnë për mirëqenien e popujve të tyre apo autoritarëve që punojnë vetëm për mirëqenien e udhëheqësve të tyre të fortë”, ka thënë ndër të tjera ai.
Ai ka folur edhe për vendimin e Kosovës për antarësim në BE, duke thënë se do ta mbështes fuqishëm.
”Unë e mbështes dhe mirëpres fuqishëm vendimin e fundit të Kosovës për të aplikuar për anëtarësim në BE dhe shpresoj se Brukseli do t’i dërgojë një sinjal pozitiv Prishtinës në vitin 2023. Kjo mund të ndihmojë gjithashtu për të ndikuar në të menduarit në Beograd”, është shprehur Zyrtari i NATO-s.
