Ish-ushtari i FSK-së që dyshohet për plagosjen e dy serbëve lirohet në arrest shtëpiak
Gjykata e Ferizajt e ka liruar në arrest shtëpiak Azem Kurtajn, ish-pjesëtarin e FSK-së që dyshohet për plagosjen e dy serbëve në Shtërpcë.
Lajmin e ka konfirmuar avokati i Kurtajt për Insajderin.
“Është mbajtë seanca fillestare, klienti jonë është deklaruar i pafajshëm. Mbrojtja ka propozu ndërprerjen e masës së paraburgimit, gjykata ka vendos që masa e paraburgimit të ndërprehet dhe të zëvendësohet me arrest shtëpiak. Është liru nga paraburgimi dhe është dërgu në arrest shtëpiak“, ka thënë avokati Naim Ferati.
Azem Kurtaj, pjesëtari i Forcës së Sigurisë së Kosovës dyshohet se me 6 janar ka shtënë me armë zjarri drejt dy serbëve në Komunën e Shtërpcës.