Ish-komandanti i KFOR-it: Nuk është gjë e mençur që Kosova të insistojë në targat
Ish-komandanti i KFOR-it, gjenerali gjerman Erhard Buhler, ka kritikuar Serbinë për retorikë të luftës dhe Kosovën për insistimin e zbatimit të vendimit për targat.
Në një intervistë për DW në gjuhën serbo-kroate, ai ka thënë se nuk është veprim i mençur që Qeveria e Kosovës të insistojë në detaje siç janë targat.
Sipas tij, kjo në Evropë shihet si gjë shumë e parëndësishme.
“Besoj se masat që Serbia ka shpallur tani, se do të avokojë për heqjen e barrikadave, janë të përshtatshme. Dhe situata ishte e rrezikshme, sepse gjithmonë ekziston rreziku i përshkallëzimit. Është e patolerueshme që në Evropë udhëheqja serbe të urdhërojë ardhjen e ushtrisë në kufi dhe të krijohet një kërcënim potencial. E konsideroj të patolerueshme që lidershipi në Beograd, jo vetëm sot, por edhe muajt e kaluar, të përdorë vazhdimisht retorikë lufte. Në anën tjetër, mendoj se nuk është as e mençur që qeveria e Kosovës të insistojë në ato detaje. Targat? E dini si shihet kjo në Evropë? Kjo është një gjë shumë e parëndësishme, nëse merret parasysh se sa vëmendje evropiane është aktualisht e përqendruar në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Buhler.