Ish-këshilltari i Thaçit tregon lajmin e keq të vitit 2023: Duket se limitet e fuqisë së ShBA-së janë shfaqur - NACIONALE

Ish-këshilltari i Thaçit tregon lajmin e keq të vitit 2023: Duket se limitet e fuqisë së ShBA-së janë shfaqur

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Blerim Shala, ish-këshilltar i presidentit Hashim Thaçi, ka shkruar një opinion relativisht të gjatë, në të cilin ka komentuar zhvillimet e vitit 2023 në arenën ndërkombëtare, përfshirë luftën që po vazhdon në Ukrainë e konfliktin në mes Izraelit e Hamasit. Cili është lajmi i keq i vitit 2023, sipas Shalës?

Në opinonin e titulluar “Lajmi i keq i vitit 2023”, që u botua në “Klan Kosova”, Shala tregon për ngjarjet që karakterizuan vitin 2023, duke shkruar se bazuar në javën e fundit, mund të parashikohet se çfarë e pret Evropën në vitin 2024.

“Bazuar në ditët dhe javët e fundit të këtij viti, mund të parashikohet me një saktësi frikësuese se çfarë na pret në Evropë dhe më gjërë, në vitin 2024, veçmas kur dihet që në Amerikë do të mbahen zgjedhjet presidenciale të rëndësisë së jashtëzakonshme, dhe në Evropë do të ketë votim për përbërjen e Parlamentit Evropian.” – shkroi ai.

Duke u bazuar në fjalët e teoricienit marksist, Antonia Gramshi, në lidhje me rrezikshmërinë e “perëndimit të një epoke, ende pa lindur tjetra”, Shala e përshkruan se si duket ky tranzicion.

“Është ky një lloj i tranzicionit i cili si i tillë, mund të zgjasë shumë dhe për më tepër, mund edhe t’i jep drejtimin tejet problematik një epokë të re historike.

Ky tranzicion po karakterizohet, pos tjerash, me një mobilizim të jashtëzakonshëm të Perëndimit, para se të gjithash, të SHBA-së së Administratës të Presidentit Biden, për tu ballafaquar me sfidat e tij, të cilat, në përbashkësinë e tyre duket që synojnë të godasin në palcë supreioritetin historik dhe politik të Perëndimit, në radhë të parë të Amerikës.” – shkruan Shala.

Tutje, ish-këshilltari i presidentes Atifete Jahjaga, thotë se Hamasi do t’ia arrinte qëllimit, sikur të mos ishte Amerika e Biden-it.

“Në anën tjetër, po mos të ishte Amerika e Presidentit Biden, pa kurfarë dyshimi, Hamasi do t’ia arrinte qëllimit të tij themelor të aksionit të vet ushtarak dhe terrorist (njëkohësisht), të 7 tetorit, për ta zhytur krejt Lindjen e Mesme në një luftë rajonale, e cila edhe më shumë se Lufta në Ukrainë, do ta kërcënonte paqen dhe stabilitetin e brishtë ndërkombëtar.” – thekson ai.

Në analizën e tij, Shala vlerëson se Vladimir Putini, president i Rusisë, është i interesuar të hapë konflikte të reja.

“Në këtë kontekst, vështirë është të mos gjindet lidhja në mes të këtyre dy rasteve, sepse Rusia e Vladimir Putinit është e interesuar tej mase që kudo në Botë të shkaktohen vatra të reja të krizave të rënda, sepse në këtë mënyrë, siç u pa zatën në shembullin e konfliktit të armatosur në mes të Izraelit dhe Hamasit, Amerika detyrohet që të shpenzojë para dhe përkushtim shtesë, për të evituar disi përshkallëzimin e situatës në Lindjen e Mesme.” – shkruan tutje Shala.

Krejt në fund të shkrimit, Shala na tregon se cili është “padyshim” lajmi më i keq për vitin e ardhshëm 2024.

“Megjithatë, së paku në rrethanat që janë parë në dy vitet e fundit, në këtë tranzicionin Gramsci-an, duket që janë shfaqur edhe limitet e fuqisë dhe ndikimit politik të SHBA-së.

Ky padyshim është lajmi më i keq i mundur për vitin e ardhshëm 2024.” – shkroi ai.

Lajme të ngjashme