Ish-ambasadori serb: “Artileria e rëndë” e diplomacisë amerikane po vjen në Serbi
Profesori në pension i Fakultetit të Shkencave Politike dhe ish-ambasadori serb në Gjermani, Ivo Viskoviq, ka thënë për Danas se ardhja e Christopher Hill si ambasador i ri i SHBA-së në Serbi është një tregues i qartë se Shtetet e Bashkuara kanë filluar t’i japin më shumë rëndësi marrëdhënieve me Serbinë.
"Mund ta quajmë kushtimisht “artileri të rëndë” të diplomacisë amerikane, veçanërisht në këtë rajon. Ai ka përvojë, ka marrë pjesë në negociata shumë të rëndësishme dhe ka qenë ambasador në Maqedoni. Ai e njeh rajonin dhe sigurisht është i kualifikuar për të përfaqësuar interesat e Shteteve të Bashkuara dhe në të njëjtën kohë për të informuar Uashingtonin shumë saktë për atë që po ndodh në rajon, veçanërisht në Serbi", thotë Viskoviq.
Në pyetjen se pse Amerika ka nevojë për artileri të rëndë tani, ai u përgjigj se është e qartë se roli i ambasadorit amerikan në marrëdhëniet me Serbinë nuk është i parëndësishëm.
"E gjithë historia e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Amerikës që nga viti 1945, ka treguar se në momentet më kritike erdhën diplomatë të shquar dhe shumë të aftë, fjala e të cilëve kishte peshë dhe respektohej. Kjo ka ndodhur në disa raste kur politika jonë e jashtme vërtetë ka ndryshuar. Si më 1948 pas konfliktit me Stalinin. Unë mendoj se Uashingtoni beson se është koha për të hapur një kapitull të ri dhe për të rregulluar marrëdhëniet tona, dhe për këtë arsye ata po dërgojnë një njeri që është i aftë të zhvillojë biseda me një autoritet dhe një reputacion të tillë që bashkëbiseduesit tanë ta dëgjojnë", shton Viskoviq.
I pyetur se në cilin drejtim duhet të shkojë politika e jashtme e Serbisë, nëse duhet të largohet nga Rusia, dhe të njohë dhe normalizojë marrëdhëniet me Kosovën, pra se çfarë problemesh do të zgjidhë, Viskoviq thotë - të gjitha këto.
"Por unë mendoj se nuk është realiste të pritet të ketë ndryshime rrënjësore në ato fusha. Pres që ai të jetë i vetëdijshëm që në fillim, të mos ushtrojë presione që do të ishin vërtet kundërproduktive, domethënë të mos insistojë në disa gjëra, siç themi ne, mbi gju. Kjo do të thotë, do të jetë më praktik sesa që duket në shikim të parë. Sepse ai ka reputacionin e një diplomati shumë depërtues, por është një njeri realist dhe që mund të vlerësojë se çfarë është politikisht e mundur në një moment të caktuar dhe çfarë është optimale. Nuk pres prej tij vrazhdësi, shpërthime publike, arrogancë, e të ngjashme, por sigurisht që nuk do të jetë e lehtë me të. Ai është një njeri që ka qëndrim dhe që dihet se ka një ndikim shumë të madh në Departamentin e Shtetit, madje edhe përtej kësaj, dhe bashkëbiseduesit e tij këtu do ta kenë parasysh këtë', përfundon Viskoviq.