Ironi e lojë fjalësh: Kurti dhe BE-ja replikojnë në distancë për draft-statutin e Asociacionit
Drafti i statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, që u propozua muaj më parë nga BE-ja, po vazhdon të jetë një nga temat më të trajtuara në publik. Shumë debate e përplasje ka për këtë çështje. Madje, në një “përplasje” publike në ditët e fundit ka ndodhur në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe BE-së, institucionit që e lehtëson dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Çka ndodhi?
Javën që shkoi, Miroslav Lajçak, i dërguar i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, ishte i parë që e “nisi” këtë lojë fjalësh në publik. Ai deklaroi se draft-statuti është çështje e brendshme e Kosovës.
“Më lejoni të shtoj edhe një pikë në lidhje me kërkesën e Kosovës që Serbia ta nënshkruajë Statutin. Sipas pikëpamjes sonë, kjo nuk është e nevojshme. Akti ligjor, ashtu sikur është i dizajnuar tani, është paraparë të jetë dokument i brendshëm i Kosovës. Me nënshkrimin e Kosovës dhe Serbisë, Statuti do të bëhej marrëveshje ndërkombëtare, çka nuk është.” – deklaroi Lajçaku, mes tjerash, në këtë intervistë.
Pas kësaj interviste, Kurti doli me një shkrim 7-pikësh, ku në mes tjerash merrej edhe me deklaratën e Lajçakut. Duke folur për këtë intervistë të Lajçakut, Kurti, përmes një ironie, shkroi se meqënëse “Asociacioni është çështje e brendshme”, atëherë ai bashkë me dy ministrat e tij, do të mund të shkruante një draft-statut të Asociacionit.
“Draft statutin e Asociacionit mua më thuhej se duhet ta pranojë edhe Serbia (andaj qysh në takimin e Ohrit kam ofruar që ta shkruaj atë mbi tri parime, ofertë kjo që u refuzua nga Vuçiq). Sipas deklarimit të fundit të emisarit evropian Mirosllav Lajçak, meqë draft statuti na qenka veçse çështje e brendshme e Kosovës, në vitin e ardhshëm, unë mund ta shkruaj një draft modern evropian në konsultim me ministrat e mi Nenad Rashiq (Komunitete dhe Kthim) dhe Elbert Krasniqi (Administrimi i Pushtetit Lokal).” – shkroi Kurti pesë ditë më parë.
Në të njëjtën linjë, Kurti ishte edhe në një konferencë në fundjavën që shkoi. Shefi i ekzekutivit deklaroi se ai nuk ka thënë se do ta shkruar, por se mund ta shkruaj.
“Dhe tash nëse draft-statuti i asociacionit prej ndërmjetësit thuhet se është një çështje e brendshme e Kosovës ky është regjistër tjetër i gjërave. Me fjalë tjera, ne paskemi humbur kohë sa herë është ngritur Asociacioni në tryezën e dialogut në Bruksel. Por, unë s’e kam ngritur asnjëherë, tjetërkush e ka bërë atë. Kjo i bie që koha në Bruksel për draftin për Asociacionin gjatë këtyre dy viteve paska qenë e panevojshme si temë, rrjedhimisht e humbur si kohë. Kjo është arsyeja pse thashë që nëse është një çështje ekskluzivisht e Kosovës, plotësisht dakord, atëherë Kosova për çështje të brendshme jo vetëm që ka Qeveri, por edhe ministra përkatës. Unë s’kam thënë se do ta shkruaj, por kam thënë se mund ta shkruaj draftin dhe kam treguar se cilët janë ministrat e mi, se kush janë ata” – ka deklaruar Kurti.
Ndaj këtyre deklaratave, reagoi edhe BE-ja, duke theksuar se Kosova ka pasur 10 vjet kohë për të shkruar një draft-statut të Asociacionit. Në një përgjigje për mediumin Koha, BE-ja ka deklaruar se Kosova ka pasur mundësinë për 10 vjetët e fundit të paraqesë një propozim për Asociacionin.
“Kosova e ka pasur mundësinë për 10 vjetët e fundit ta paraqesë një propozim për Asociacionin. Në këtë fazë të avancuar të procesit ku themelimi i Asociacionit pritet të fillojë së shpejti, Kosova ftohet t’i ofrojë komentet dhe sugjerimet e saj për draftin”, ka deklaruar BE-ja.
Ndërsa, dje gjatë një konference, Kurti deklaroi se ai ishte i gatshëm të nënshkruante marrëveshjet dhe draft-statutin e Asociacionit.
“Ata që në Bashkimin Evropian ishin shumë të interesuar, për shembull, për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, përkatësisht për draft-statutin e propozuar, e patën shansin. Presidenti i Serbisë që vazhdimisht e përmend Asociacionin, e pat shansin. Por nuk u bë për mungesë të gatishmërisë sime, andaj nuk ka kuptim të vazhdoni të më pyesni mua edhe më shumë. Pra, duhet të pyeten ata atje pse e humbën atë shans aq të mirë? Unë që isha i gatshëm për nënshkrim, tash a jam serioz? Po ku ka më serioz sesa të thuash eja e nënshkruajmë sonte. Më seriozitet se kaq në marrëdhënie ndërkombëtare dhe për marrëveshje ndërkombëtare, nuk ka. Aty joserioziteti i doli palës serbe, që nuk nënshkruan.” – tha Kurti dje.