Intervistimi i Martin Berishajt e mostrat e Deharit: Cilat ishin ngjarjet kryesore të javës? - NACIONALE

Intervistimi i Martin Berishajt e mostrat e Deharit: Cilat ishin ngjarjet kryesore të javës?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një javë me shumë zhvillime edhe kjo e fundit. Duke nisur nga ato politike, të drejtësisë e deri te kronika e zezë.

Për më shumë se 8 orë ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, u intervistua nga Prokuroria Speciale. Kjo rreth akuzave për shpërlarje parash e shmangie nga tatimi.Nacionale raportoi ekskluzivisht e para për këtë rast.

Prokuroria Speciale bëri të ditur se kishte kërkuar edhe disa herë intervistimin e Berishajt, por ky i fundit e kishte shtyrë për shkak të angazhimeve si ambasador.

“Pas interesimit të mediave, Prokuroria Speciale njofton opinionin publik se ambasadori, i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është intervistuar sot me ftesë të Prokurorisë Speciale, me dyshimet për veprat penale ‘’Shpëlarja e parave’’, ‘’Shmangia nga tatimi’’ dhe ‘’Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare’”, thuhet në komunikatë.

“Po ashtu, ju njoftojmë se ambasadori Martin Berishaj, edhe më herët është ftuar për intervistim, por vet Berisha kishte kërkuar nga Prokuroria Speciale që të shtyhet intervistimi, për shkak të angazhimit të tij si ambassador”, përfundon njoftimi.

Avokati i Berishajt, Tomë Gashi, tha se deklaratat e ambasadorit janë konfidenciale.

“Martin Berishaj qyh me 27.01.2023 ka paraqit kerkese per te dhene deklarate sqaruese ne Prokurorine Speciale te Republikes se Kosoves lidhur me pretendimet qe kan dale ne media Martini tashme ka dhene deklarate ne PSRK Deklarata e tije eshte konfidenciale Une per shkak te kesaj situate si avokat i Martinit nuk munde te ju them asgje per permbajtjen e kesaj deklarate”, deklaroi Gashi.

Hetuesit zbarkojnë në IML, dyshohet për gjetjen e mostrave të Deharit

Një tjetër ngjarje e rëndësishme që ndodhi po të premten, ishte një aksion i hetuesve e Policisë në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Nacionale e konfirmoi nga disa burime se ka dyshime që mostrat e Astrit Deharit ishin gjetur. Megjithatë, edhe sot, asnjë institucion zyrtar nuk e ka parë të arsyeshme të reagojë.

Burime të afërta me zhvillimet i kanë thënë Nacionales se sipas dyshimeve, mostrat e Astrit Deharit janë gjetur nga Ekipi i Inventarizimit.

Ekipi i inventarizimit i ka gjetur mostrat. Gjatë fazës së parë të inventarizimit janë gjetur vetëm mostrat e urinës, në inventarizimin e dytë kanë qenë mostrat komplet”, kanë deklaruar këto burime për Nacionalen.

Nacionale ka tentuar kontaktin me U.D drejtorin e IML-së, Ditor Haliti, por ai nuk është përgjigjur.

Kurse, drejtoresha e laboratorit të Toksikologjisë, Flutura Goga, ka thënë për Nacionalen se gjendet në pushim pasi ka rast vdekjeje.

Tash dëgjova. Jam në pushim pasi kam rast vdekje”, tha ajo shkurtimisht.

Nacionale ka tentuar të kontaktojë edhe me prokurorin e rastit, Afrim Shefkiu, por as ky nuk e ka hapur telefonin.

Gazeta Nacionale për këtë çështje i ka shkruar edhe Prokurorisë Speciale, por deri në momentin e publikimit të shkrimin nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Gjatë javës pati edhe një shkëmbim me armë zjarri fillimisht në lagjen Kolovicë të Prishtinës. Më pas, si pasojë e përleshjes mes dy grupeve për të njëjtin rast, mbetën të vrarë dy persona. Një i ri i përfshirë në përleshje, dhe një grua kalimtare e rastit.

Katër persona për këto dy raste ende janë në arrati.

Lajme të ngjashme