Intervistë | Rukiqi: Ne jemi në garë për t`i fituar zgjedhjet, tubimet masive të LDK-së e kanë futur në panik Albin Kurtit
Kandidati për deputet i LDK-së, Berat Rukiqi, është shprehur i kënaqur me mbarëvajtjen e ditëve ta para të fushatës zgjedhore.
Ai ka bërë me dije se masiviteti i tubimeve të LDK-së ka shkaktuar panik tek kryeministri Albin Kurti dhe partia në pushtet.
Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, zyrtari i LDK-së, është shprehur i bindur në fitoren e LDK-së në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Sipas tij, rënia e lirë e LVV-së nuk ka nevojë për sondazhe dhe matje.
“Kundërshtari mund të kërkojë gjithçka. Mund t`i kërkojë edhe 700 mijë(vota), mund t`i kërkojë mbi 1 milion që janë të regjistruar. Por ajo që është evidente është se kundërshtari është në panik dhe nuk ka nevojë që të bëhen as matje dhe as sondazhe për me e pa panikun dhe rënien e shpejt. Në muajit e parë të qeverisjes rënia ishte e ngadalshme, pastaj ishte mesatare, kurse tani kundërshtari është në rënie të lirë. Dhe këtë e dinë ata. Sa më shumë e shohin këtë rënie, aq më shumë rritet ai oktaviteti i piskamave”, ka thënë Rukiqi.
Ai ka treguar se optimizmin për fitore në zgjedhjet e 9 shkurtit po ia jep mbështetja e qytetarëve në terren dhe masiviteti i tubimeve të LDK-së në këto pesë ditë të fushatës.
“Na bën energjia. Në fushatë e vëren energjinë e njerëzve që ty të përkrahin, që të shfaqen në tubime, që të ndalin në rrugë. Pra, është një energji e jashtëzakonshme”, ka deklaruar Rukiqi.
Anëtari i Kryesisë së LDK-së ka vlerësuar se sa më e madhe përkrahja për LDK-në aq më i madh po bëhet paniku te pushteti.
“E ka thënë edhe kryetari Abdixhiku, sa më shumë duartrokitje për neve, aq më shumë piskama(të pushtetit). Pra, sa më shumë përkrahje e qytetarëve për LDK-në, aq më shumë shfaqje të çuditshme të pushtetit”, ka thëksuar ai.
Duke i komentuar sulmet e fundit të kryeministrit Kurti ndaj LDK-së, ai ka thënë se shefi i qeverisë po dëshiron ta fus LDK-në në terrenin e tij.
Me veprime të tilla, ka thënë ai, Kurti po dëshiron konflikt ndër qytetar.
“Po dëshiron me na fut në atë diskutim, po dëshiron me kriju narracion ‘ne dhe ata’, po do me kriju narracionin ‘ne me Kosovën, ata me Serbinë’. Pra, po dëshiron me kriju narracion konfliktit ndër qytetar. Këtë gjë LDK-ja e ka provuar edhe më herët, por ne iu kemi përgjigjur me program, ne iu kemi përgjigjur me tubime masive, ku shfaqet përkrahja për LDK-në. Ne nuk do të flasin për miza, por do të flasim për projekte dhe investime”, ka thënë Rukiqi.
Rukuqi, i cili në listën zgjedhore të LDK-së e mban numrin 20, ka folur edhe për fushatën zgjedhore të LDK-së.
Ai ka bërë me dije se fushata e kësaj partie është prej më të mirave në këto 20 vite.
“Ka një vlerësim të përgjithshëm se fushata e LDK-së është nder të mirat e këtyre 20 viteve. Pra, është një fushatë e jashtëzakonshme, në kuptim të pjesëmarrjes, të programit, në kuptim të saj çka shfaqet, në kuptim të estetikes dhe çdo elementi tjetër që e bëjnë jo vetëm fushatë moderne, por e bëjnë edhe fushatë fituese, me një frymë që po krijohet dhe e cila pastaj pritët të konvertohet edhe në kutitë e votimit, me një përkrahje për Lidhjen Demokratike të Kosovës që nuk e ka pasur nder vite”, ka thënë Rukiqi.
Në këtë intervistë të gjatë, ai ka folur për programin ‘Rruga e re’ dhe listën e LDK-së.