Intervistë | Osmani: Kosova t`i ikë logjikës që sjell sanksione, s`duhet të kthehemi mbrapa
Bujar Osmani është shprehur i shqetësuar me përplasjen e Kosovës me aleatët perëndimor. Kryediplomati i Maqedonisë së Veriut ka ftuar Kosovën që të heq dorë nga logjika që sjell sanksione.
Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka komentuar planin 5 pikësh të kryeministrit Albin Kurti për deeskalimin e situatës në veri.
Osmani ka treguar se plani i Kurtit mund të ketë pikëtakime dhe dallime me planin e tij 9 hapesh, të cilin e ka prezantuar ditë me parë.
Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Osmani ka deklaruar se për të qenë një plan i suksesshëm ai duhet të jetë i koordinuar dhe të pranohet nga të gjitha palët.
Osmani, i cili kryeson presidentes e OSBE-së, është shprehur i shqetësuar me përplasjen e Kosovës me aleatët perëndimor.
Kryediplomati shqiptar i Maqedonisë së Veriut ka theksuar se situata aktuale i ngjan një kthimi prapa.
Ai e ka ftuar Qeverinë e Kosovës që të heq dorë nga logjika që sjell sanksionime.
Sipas tij, kjo qasje vendet i kthen mbrapa dhe ua vështirëson ecjen para.
Nacionale: Z. Osmani, para disa dite ju keni dërguar një plan në Prishtinë dhe Beograd, i cili ka për qëllim shtensionimin e situatës në veri të Kosovës. A keni marrë ndonjë përgjigje nga palët?
Osman: Plani ynë ka qenë shprehje e vullnetit të mirë dhe konform përgjegjësive të shumëfishta që kemi si OSBE ndaj rajonit të Ballkanit, por edhe si fqinjë që duam të mirën, progresin dhe stabilitetin e këtij rajoni.
Plani ynë është parë me kujdes e simpati edhe nga vendimmarrësit dhe nga shumë shtete participuese në organizatë.
Plani është dërguar misionit tonë në Prishtinë me instruksione të qarta që ata të fillojnë komunikimin me autoritet e Kosovës.
Nacionale: Çka ju shtyri të dilni me një plan të tillë. E betë këtë në cilësinë e kryesuesit të OSBE-së apo si ministër i punëve të jashtme i një vendi fqinjë?
Osmani: Siç thash më lart, motivet dhe përgjegjësitë tona ishin të shumëfishta. E para OSBE-ja ka misione në rajon dhe një tradite të ndihmës dhe bashkëpunimit për stabiltet, paqe e demokraci.
Por, ne jemi edhe fqinjë, i cili dëshiron që të kontribuoj me gjitha mundësitë në tejkalimin e problemeve dhe të ofroj ndihmën miqësore duke u nisur nga përvoja e jonë gjatë tranzicionit të suksesshëm dhe tejkalimit të situatave keqkuptuese për të ndërtuar edhe paqe të qëndrueshme brenda shtetit dhe me fqinj.
Po ashtu, i përkas një vendi që është pjesë e NATO-s dhe synon EU dhe sillet me përgjegjësi dhe kompetencë. Mua me obligon edhe më shumë se kaq- emri im Bujar.
Nacionale: Edhe në propozimin tuaj përmendet mundësia e mbajtjes së zgjedhjeve të reja në veri. Aty përmendet gatishmëria e OSBE-së që të merret me këtë proces. Bëhet fjalë për monitorim të procesit zgjedhor apo për organizim të këtyre zgjedhjeve nga OSBE-ja?
Osmani: Në mandatin e OSBE-së është mbështetja e procesit zgjedhor. Mbështetje nuk nënkupton organizim. Edhe deri tani OSBE-ja ka ndihmuar autoritetet zgjedhore të Kosovë kryesisht me mbështetje teknike, këshilldhënie dhe në asnjë mënyrë kjo nuk nënkupton ndërhyrje në autoritetin e organeve elektorale të Kosovës.
Nacionale: Kryeministri Kurti ka prezantuar një plan me pesë pika për deeskalimn e situatës në veri. Ky plan a është në përputhje me planin që ju ua keni dërguar palëve?
Osmani: Unë mund të flas për planin tonë. Plani i z. Kurti reflekton qëndrimet e tanishme të qeverisë që ai drejton. Aty mund të këtë pikëtakime dhe dallime.
Por, besojmë se një plan për të qenë i suksesshëm duhet të jetë i koordinuar dhe i gjithë pranuar nga gjithë dhe në mënyrë që të arrihet rezultati i dëshiruar që sjell stabilitet dhe legjitimitet.
Nacionale: Si ministër i punëve të jashtme të një vendi fqinjë, cili është mesazhi i juaj për Qeverinë e Kosovës në raport me situatën në veri?
Osmani: Të gjithë duhet të jemi të kujdesshëm dhe të vëmendshëm për momentin global nëpër të cilin po kalojmë. Njëkohësisht nuk duhet harruar ambiciet tona rajonale për të qenë pjesë e familjes Euro-Atlantike. Stabiliteti dhe demokracia janë synime të përbashkëta që duhet t`i aspirojmë me përgjegjësi.
Nacionale: Deri tani kemi parë kritikat të ashpra të aleatëve perëndimor ndaj Kosovës. Madje, Kosova është përballur edhe me disa sanksione nga SHBA-ja. Çfarë pasojash mund t`i sjell Kosovës ky mosdëgjim i kërkesave të SHBA-së dhe BE-së?
Osmani:
As që dua të mendoj që mund të jemi në situatë të tillë në rajon, që i ngjan një kthimi prapa. Duhet të jemi krenar me gjithë përpjekjet tona të përbashkëta që ta transformojmë rajonin nga një konsumues të sigurisë, në kontribuues të tij. Nga monizmi në pluralizëm dhe të qenurit partner kredibil në familjen Euro-Atlantike.
Me çdo kusht duhet tu ikim sjelljeve dhe logjikes që sjell sanksionime, që na kthejnë prapa dhe na vështirësojnë ecjen para. Si çdo herë në histori, momentet janë të rëndësishme po aq sa përzgjedhjet e rrugëve.

