Intervistë | Lekaj: Seanca e 13 korrikut shënon fundin e durimit të opozitës ndaj Qeverisë - NACIONALE

Intervistë | Lekaj: Seanca e 13 korrikut shënon fundin e durimit të opozitës ndaj Qeverisë

3 vjet më parë

nga Muhamet Koci

Opozita nuk do ta durojë më pushtetin. Kështu ka thënë deputeti i AAK-së, Pal Lekaj. Ai ka ftuar partitë opozitare që të bashkohet në kauzën e tyre kundër Qeverisë Kurti.

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka bërë me dije se opozita më nuk do ta durojë Qeverinë Kurti.

Ai ka vlerësuar se seanca e 13 korrikut, ku pati edhe përleshje fizike, shënon fundin e durimit të opozitës ndaj Qeverisë.

Sipas tij, kjo qeveria ka shkelur mbi moralin dhe respektin ndaj qytetarëve dhe deputetëve si përfaqësues të popullit.

Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Lekaj ka ftuar partitë opozitare të bashkohen në kauzën e tyre.

Ai ka bërë me dije se protestat kundër kësaj qeveria janë të pashmangshme.

Deputeti i AAK-së mendon se opozita i ka dhënë kohë të mjaftueshme Qeverisë për të treguar veten.

Nacionale: Z. Lekaj, AAK-ja ka filluar një cilek të diskutimeve me kategoritë e ndryshme shoqërore. Pse e niset këtë iniciativë në këtë kohë?
Lekaj: AAK në krahasim me numrin e deputetëve, është grupi parlamentar më i suksesshëm sa i përket organizimeve të tryezave, debateve parlamentare, interpelancave, pyetjeve parlamentare, konferencave për media, si dhe deklarimeve të ngritura në Kuvend.
Këtë e thonë të gjithë institutet dhe organizatat që e monitorojnë punën e Kuvendit.

Nacionale: Të enjten jeni takuar me përfaqësuesit e mediave dhe të shoqërisë civile. Çka u diskutuar aty?
Lekaj: Po, AAK ka takuar përfaqësues të shoqërisë civile, instituteve, ekspertë të fushave si dhe gazetarë të mediave të vendit. Kjo ka ardhur si rrjedhojë e vazhdës së takimeve që ka nisur AAK me të gjithë akterët e rëndësishëm vendorë pa dallim. Në tryezën e mbajtur u diskutua mbi gjendjen politike në vend, shqetësimin e të gjithëve që Kosova ka humbur elementet e shtetësisë së vendit, nevojën e një bashkëveprimi më dinamik të opozitës për veprimet qeveritare, subjektivitetin e lënduar të shtetit tonë, nevojën e unifikimit të brendshëm pozitë-opozitë për tema me interes të vendit përballë Serbisë, si dhe tema tjera të rëndësishme që kanë të bëjnë me të ardhmen e vendit.

Nacionale: Iniciativë të ngjashme tashmë ka filluar edhe LDK-ja. A po i bije se po e kopjoni LDK-në?
Lekaj: Jo, AAK nuk e ka kopjuar LDK-në dhe asnjë parti tjetër. Madje AAK është e para që ka nisur takimet me sindikatat, gastronomët, sipërmarrësit, etj. Gjithashtu të mos harrojmë që mediat, shoqëria civile, institutet e ndryshme dhe ekspertët e fushave, janë të të gjithëve dhe nuk janë në pronësi të asnjë subjekti politik.

Nacionale: Cili është qëllimi i këtyre takimeve? Çka dëshiron të arrij AAK-ja nga këto diskutime?
Lekaj: AAK, është e shqetësuar me situatën e rëndë politike në Kosovë dhe është duke u munduar që të gjejë modalitetet e ndryshme për të dalë nga kjo situatë.

Në vendin tonë kemi dështim qeveritar në punët e brendshme ku jeta dhe mirëqenia e qytetarit është vështirësuar shumë, ku ekonomia është në kolaps, ku ngjarjet e veriut të vendit kanë prishur rendin dhe ligjin, si dhe mungesa e investitorëve po krijon probleme të zhvillimit të shtetit.

Ndërsa në aspektin e jashtëm Kosova kurrë s`ka qenë më pak faktor dhe më e pafuqishme përballë fqinjëve dhe ndërkombëtarëve. Prishja e raporteve me ndërkombëtarët, ka bërë që të kemi probleme në politikën e jashtme, e cila është qenësore për ekzistencën dhe të ardhmen e shtetësisë tonë.

Nacionale: Z. Lekaj, seanca e fundit e Kuvendit të Kosovës ishte shumë e tensionuar. Si e shihni vazhdimin e seancave të mbetura të sesionit pranveror?
Lekaj: Seanca e fundit, mendojë që shënon fundin e durimit të opozitës ndaj pozitës e cila ka shkelur mbi moralin dhe respektin ndaj qytetarëve dhe neve si përfaqësues të popullit, në kuptim të mirëqeverisjes, në qeverisje transparente si dhe në qeverisje që rregullon secilin segment të jetës. Qeveria Kurti dhe shumica parlamentare asnjëherë s`ka pas bashkëpunim dhe unifikim me opozitën, në temat vitale të shtetit. Në vazhdimësi kanë injoruar dhe kanë përbuzur çdo ide, sugjerim dhe rekomandim mbi tema të rëndësishme brenda dhe jashtë Kosovës.

Nacionale: Deri me tani nuk kemi parë një opozitë të unifikuar. A duhet të ndryshojë opozita qasjen pas pushimeve?
Lekaj: Ka qenë një opozitë bashkëpunuese, por jo në nivel të kënaqshëm. Mendojë që duhet unfikim më i qartë përballë dështimeve dhe gabimeve të Qeverisë. Të keqes duhet t`i themi jo dhe ta ndalojmë atë nëse vërtetë është e dëmshme për qytetarët dhe institucionet.

Nacionale: Askush prej tri partive opozitare nuk e ka përjashtuar opsionin e protestave. Kur mendoni se duhet të fillojnë ato?
Lekaj: Protestat paqësore dhe me vend, janë element bazë i një shteti dhe funksionimit të demokracisë. Mendojë që mjaft kemi duruar, mjaftueshëm i kemi dhënë Qeverisë kohë që të punojë e zhvillojë vendin, por siç po duket kjo objektivë është larg apo vështirë e arritshme nga ky pushtet. Janë të dobët në udhëheqje, ku deri sot nuk dijmë asnjë sukses të madh, asnjë projekt e vendim që ka ndryshuar për të mirë funksionimin e shtetit dhe jetën e qytetarëve, të cilët po lëshojnë Kosovën si kurrë më parë pasi nuk po shohin asnjë perspektivë për të ardhmen me këtë Qeveri.

Lajme të ngjashme