Intervistë | Kastrati: Kushtetuesja duhej ta hidhte poshtë dekretin e presidentes, më shkarkoi për hakmarrje - NACIONALE

Intervistë | Kastrati: Kushtetuesja duhej ta hidhte poshtë dekretin e presidentes, më shkarkoi për hakmarrje

1 vit më parë

nga Muhamet Koci

Ish-ambasadori i Kosovës në Slloveni, Avni Kastrati, nuk është shprehur shumë i kënaqur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili ka konstatuar se gjykatat tjera ia kishin mohuar qasjen në drejtësi.

Ai ka bërë me dije se Kushtetuesja është dashur bëj vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit të Presidentes për shkarkimin e tij nga pozita e ambasadorit të Kosovës në Slloveni.

Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Kastrati ka thënë se gjykata është dashur ta hedh poshtë dekretin e shefes së shtetit.

Kastrati ka thënë se presidentja dhe kryediplomatja nuk kanë pasur asnjë arsye për ta shkarkuar atë në vitin 2021.

Ai ka bërë e dije se shkarkimi i tij dhe i shumë ambasadorëve tjerë është bërë nga dëshira për hakmarrje e ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

Sipas tij, më këtë logjikë, kryediplomatja i ka sjell shumë dëme Republikës së Kosovës.

Nacionale: Z. Kastrati, dje Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se tri gjykata nuk u kanë dhënë qasje në drejtësi, pasi kontestuar dekretin e Presidentes për shkarkimin tuaj. Si e ke parë këtë vendim?
Kastrati: E kam vlerësuar si një fitore të drejtësisë, por mendoj se është dashur që pak më ndryshe me e sjell vendimin. Sepse shkelja ka qenë flagrante në rastin tim. Kështu që, është dashur ta sjell vendimin direkt që ka pasur shkelje të Kushtetutës e jo me e rikthy procesin në gjykatat tjera.

Nacionale: Pra, mendoni se Kushtetuesja është dashur ta hedh poshtë dekretin e presidentes Osmani për shkarkimin tuaj nga pozita e ambasadorit?
Kastrati: Po. Por, mendoj se e kanë gjet një alternativë që mos me dal si shkelje e kushtetuese e presidentes dhe ia kanë lënë pataten e nxehtë gjykatës së shkallës së parë për mos me u bë më e madhe.

Nacionale: Dyshoni për ndonjë interferim të politikes, të Presidentes, në këtë rast?
Kastrati: Nuk dua ta komentoj këtë, sepse nuk di, nuk kamë ndonjë argument.

Nacionale: A ka pas ndonjë arsye presidentja për të iu shkarkuar juve?
Kastrati: Nuk ka pasur asnjë argument për të më shkarkuar. Kjo as nuk diskutohet.

Nacionale: Pse mendoni se e ka bërë një gjë të tillë Presidentja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme?
Kastrati: Ju e dini se në pako janë shkarkuar 8 ambasadorë. Mendoj se kjo ka ndodhur për çështje politike. Vetëm për çështje politike, për asgjë tjetër. Sepse me ligj përcaktohet se kur mund të shkarkohen ambasadorët. Aty janë katër pika dhe në rastin konkret asnjë prej tyre nuk ka ekzistuar.

Nacionale: Cilat janë hapat që do t`i ndiqni tani?
Kastrati: Sipas kësaj, lënda drejtohet në gjykatën e shkallës së parë dhe afati është i përcaktuar deri me 1 qershor. Gjykata i ka të gjitha elementet që i ka konstatuar Gjykata Kushtetuese, ndërsa gjykata e shkallës së parë tani duhet ta sjell vendimin pozitiv. Ky vendim duhet të nxirret në bazë të argumenteve që janë dhënë.

Nacionale: Sa besoni se gjykata do të nxjerr vendim pozitiv?
Kastrati: Nuk e di se çfarë vendimi sjell gjykata, por sigurisht se gjykata duhet të konstaton se ka pasur shkelje të rënd ligjore në rastin tim. Sepse kështu thonë argumentet. Kushtetuesja e ka kryer punën e vet, tani gjykata e shkallës së parë duhet të vepron. Kjo gjykatë nuk duhet të humb shumë kohë për të sjell vendimin në favorin tim, pra me e konstatu shkeljen.

Nacionale: Presidentja dhe Kryeministri tani po e mbrojnë ambasadorin e Kosovës në Kroaci, z. Martin Berishaj, i cili dyshohet se është përfshirë në një afër financiare. Ndërsa, ju jeni shkarkuar pa asnjë arsye. Cili është komenti i juaj për këtë?
Kastrati: Nuk dua të diskutoj çështjen e te tjerave, vetëm e di që në rastin tim konkrete nuk ka pasur asnjë arsyeje për të më shkarkuar. Dhe kjo është shkelje ligjore me të dyja këmbët.

Nacionale: A do të duhej të shkarkohej tani z. Berishaj?
Kastrati: Nuk po dua ta komentoj, sepse nuk kam informata të plota. Por, ajo që dihet është që secili që bënë shkelje janë institucionet që duhet të merren me atë çështje.

Nacionale: Cili është vlerësimi i juaj për funksionimin e politikës së jashtme gjatë kësaj kohe?
Kastrati: Gjatë kësaj kohe janë bërë shumë veprime të pamatura nga ana e ministres. Mendoj se diplomacia është dobësuar, sepse dëshira për hakmarrje prej ministres ka qenë aq e madhe se pa i analizua gjerat i kanë shkarkuar ambasadorët dhe shteti i Kosovës ka mbetur pa ambasadorë, ose në ndërkohë kanë bërë zgjidhje emergjente pa i përgatitur mirë diplomatët e ambasadorët. Prandaj, në këtë drejtim Kosova ka humbur shumë.

Nacionale: A po vazhdon ende kjo logjikë hakmarrëse në diplomaci?
Kastrati: Sigurisht. Nuk diskutohet kjo. Këtë e dinë të gjithë.

Lajme të ngjashme