Intervistë | Humolli: Zhbërja e Gjykatës Speciales është e mundur, duhet vetëm dije politike dhe guxim
Është nga deputetët e rrallë të Kuvendit të Kosovës që guxon të flasë hapur kundër Gjykatës Speciale. Madje, ai në çdo paraqitje publike kërkon anulimin e saj. Pas fillimit të procesit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, deputeti i pavarur, Fatmir Humolli, është i bindur se kjo gjykatë është kundër Kosovës dhe si e tillë duhet të shpërbehet nga Kuvendi.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Fatmir Humolli, është shprehur i bindur se zhbërja e Gjykatës Speciale është e mundur.
Ai ka bërë me dije se për këtë duhet vetëm dije politike dhe guxim nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.
Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Humollli ka thënë se procesit për anulimin e kësaj gjykate duhet t`i prijë Kuvendit të Kosovës.
Sipas tij, ligjvënësit kosovarë e kanë obligim kushtetues që të ia marrin sovranitetin e deleguar kësaj gjykate.
Në këtë mënyrë, ka thënë ai, do t`i kthej Kosovës dinjiteti.
Ai ka bërë me dije se të zgjedhurit e popullit e kanë obligim ta ndalin ofendimin që kjo gjykatë po ia bënë shtetit të Kosovës dhe UÇK-së.
Në këtë intervistë të gjatë, Humolli, i cili ka qenë ish-epror i UÇK, ka folur edhe për organizimin e UÇK-së, pretendimet e prokurorisë dhe kritikuesit e luftës çlirimtare.
Nacionale: Z. Humolli. ju vazhdimisht e keni kundërshtuar Gjykatën Speciale. Tashmë në këtë gjykatë ka filluar procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Si i keni pare seancat e para te këtij procesi?
Humolli: Kjo gjykatë është krejtësisht politike dhe e ndërtuar me qëllim të komprometimit të luftës së UÇK-së. Pretendimet për krime lufte nga UÇK-ja janë gjykuar dhe janë dënuar edhe nga mekanizmat e brendshëm në Kosovë por edhe nga ato ndërkombëtare siç ishte UNMIK, EULEX dhe Tribunali i Hagës. Prandaj, formimi i një gjykate tjetër për të njëjtin qëllim është e panevojshme dhe e padrejtë.
Edhe gjatë seancave të deritanishme të këtij procesi gjyqësor vërehet fushata për komprometimin e luftës së UÇK-së nga këta prokurorë ndërkombëtar të cilët i ngjasojnë prokurorëve serb, të cilët madje shumë herë ishin më korrekt se këta që po i shohim sot. Shih si shembull kërkesën e tyre që një ushtri vullnetare (në kohë lufte kur siguria e civilëve ishte në rrezik permanent) të ketë urdhër nga gjykata për ndalimin e personave e dyshuar, përderisa KFOR-i (ushtri e konsoliduar) pas luftë pa asnjë urdhër gjyqësori, ndalonte qytetarët tanë në mënyrë arbitrare.
Ne si popull kemi qenë vet viktimë, andaj nuk ka gjasa që populli ynë të jetë kundër viktimës. Prandaj, tendenca e kësaj gjykate që dëshmitarët t’i “mbrojë” nga populli ynë është ofendim.
Nacionale: Sa besoni në drejtësinë e kësaj gjykate?
Humolli: Një gjykatë politike që është formuar me qëllim të përdhosjes së luftës së një populli për liri nuk mund të sjellë drejtësi.
Nacionale: Fjalët hyrëse të prokurorisë dhe mbrojtjes kanë nxitur shumë reagime në vend. Si ish-pjesëtar i UÇK-së, a ka qenë kjo ushtri e organizuar aq mirë sa po pretendon prokuroria?
Humolli: Ushtria Çlirimtare e Kosovës është formuar nga nevoja e popullit për liri, pra ajo ishte ushtri vullnetare që buroi në mënyre ë natyrshme nga populli. Si e tillë, ajo nuk ka qenë një ushtri e rregullt ashtu siç e kemi sot FSK-në apo siç i kanë shtetet tjera. Organizimi ynë ka qenë në proces e sipër, proces të cilin e ka stagnuar intervenimi i NATO-s. Marrë parasysh rrethanat kohore të limituara dhe pengesat të cilat kanë rrjedhur rrugës, ne nuk kemi pasur mundësi të organizohemi në mënyrë të mirëfilltë. Armët më të forta të ushtrisë sonë kanë qenë vullneti dhe gatishmëria e madhe për luftë për liri. Unë mund ta marrë një shembull: sot në rrethana lirie ne na duhen nëntë muaj për të përgatitur një policë të dal në rrugë dhe një vit punë praktike, përderisa e tërë lufta jonë është zhvilluar nga marsi deri në qershor.
Nacionale: Pretendimet e avokatëve për t’i shfajësuar ish – krerët e UÇK-së nga akuza kanë nxitur reagime të shumta në vend. Madje, kemi parë edhe fyerje ndaj UÇK-së. Cili është vlerësimi juaj ndaj këtyre fyerjeve?
Nacionale: Diçka që është publike është e prirur të komentohet nga njerëzit, e në mesin e tyre ka edhe njerëz të pa përgjegjshëm, e ka edhe të atillë që janë të orkestruar dhe që punojnë me instruksione prej Serbisë. Jo më kot, qindra miliona euro investohen nga Serbia në Kosovë.
Nacionale: Si deputet ju edhe më herët jeni shprehur pro shpërbërjes së kësaj gjykate. Cili duhet te jetë tani qëndrimi i Kuvendit ndaj kësaj gjykate?
Humolli: Qëndrimi i Kuvendit si institucioni më i lartë i vendit dhe si organi më i fuqishëm për sigurimin e integritetit shtetëror duhet të jetë kundër kësaj gjykate. Një gjykatë e cila është jashtë kontrollit të shtetit tonë nuk mund të ketë të drejtë të gjykojë njerëzit tanë e luftën tonë. Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur - kjo do të thotë që gjykata kontrollohet edhe nga shtete pro-serbe dhe është e njëanshme. Përderisa kjo gjykatë nuk i raporton asnjë institucioni në Kosovë dhe asnjë mekanizëm juridik i shtetit tonë nuk mund ta mbikëqyrë qoftë edhe për trajtimin e të ndaluarve, atëherë pse duhet të ekzistojë me lejen tonë?!
Nacionale: A është e mundur tani shpërbërja e Gjykatës Speciale?
Humolli: Është e mundur. Vetëm duhet dije politike dhe guxim.
Nacionale: E keni diskutuar me deputetët tjerë çështjen e shpërbërjes dhe a ka disponim për një gjë të tillë në Kuvend?
Humolli: Kundër kësaj gjykate janë edhe ata të cilët patën votuar pro saj asokohe. Por, për të marr hapin e shpërbërjes duhet plotësuar dy kriteret të cilat i përmenda më lart.
Nacionale: Si mund të bëhet shpërbërja e kësaj gjykate?
Humolli: Legjitimiteti më i lartë i vendit tonë i takon Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe deputetëve që janë të deleguarit direkt të popullit. Shpërbërja mund të bëhet duke i kthyer sovranitetin shtetit tonë të cilin e kanë obligim kushtetues institucionet tona, e Kuvendi si organi më i lartë i shtetit duhet të jetë prijësi i këtij procesi të domosdoshëm për rikthim të dinjitetit. Të zgjedhurit e popullit kanë obligim ndaj tyre për të ndaluar ofendimin që po i bëhet shtetit tonë, UÇK-së dhe luftës sonë për çlirim.


