Intervistë | Hasani: Shpërndarja e Kuvendit nga presidentja, përpjekje për përmbysje të rendit kushtetues
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, e ka quajtur skandaloz dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.
Ai ka bërë me dije se ky dekret nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Në një interviste për gazete Nacionale, Hasani ka vlerësuar veprimi i presidentes Osmani paraqet përpjekje për përmbysje të rendit kushtetues, përpjekja më brutale deri tash pas pavarësisë së vendit
Nacionale: Z. Hasani, sot presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nxjerr dekretin për shpërndarjen e Kuvendit. Një veprim i tillë a është në përputhje me Kushtetutën?
Hasani: Vetëm kur ekziston pajtimi i të gjitha partive politike mund të vijë deri te shpërndarja e Kuvendit si rrjedhojë e shkeljes së afatit tridhjetëditor. Asnjëherë ndryshe. Kështu ka ndodhur edhe vitin që shkoi, kur Kosova shkoi në zgjedhje pa Kuvend të konstituuar pati një pajtim të heshtur të të gjithëve. Kjo siç u bë sot e ndryshon formën e pushtetit shtetëror nga sistemi parlamentar në sistem presidencial. Këtë ndryshim mund ta bëjë vetëm amendamenti kushtetues.
Mënyra si u bë kjo paraqet përpjekje për përmbysje të rendit kushtetues, përpjekja më brutale deri tash pas pavarësisë së vendit.
Nacionale: A mendoni se ku dekret duhet të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese për t`u kontestuar?
Hasani: Patjetër që ky dekret arbitrar duhet të kontestohet dhe Gjykata Kushtetuese duhet ta thotë fjalën e fundit. Nuk duhet të lejohet ky arbitraritet dhe kjo papërgjegjësi totale ndaj Kushtetutës. Mbrëmë, pas nisjes së procedurave për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, ka nisur rrjedhja e afatit 60-ditor.
Gjykata duhet urgjent të vendosë masën e përkohshme për të penguar erozionin e mëtejmë të rendit kushtetues.
Nacionale: Gjithashtu, presidentja Osmani sot ka ftuar subjektet politike në takim për të diskutuar rreth caktimit të datës së zgjedhjeve. A duhet të diskutohet për këtë cështje para se Kushtetuesja të marrë një vendim?
Hasani: Dekreti i sotëm është tërësisht jokushtetues dhe prek themelet e formës së pushtetit shtetëror. Roli dhe pozita e Presidentit të Republikës është e qartë në Kushtetutën e Kosovës dhe ai nuk është sistem presidencial.
Nacionale: Si e keni parë bazueshmërinë kushtetuese në ankesën e LVV-së dhe kërkesën për masë të përkohshme të afateve për zgjedhjen e presidentit?
Hasani: Kërkesa e VV-së nuk është çështje kushtetuese dhe nuk ka objekt për shqyrtim kushtetues. Objekt shqyrtimi kushtetues mund të jetë vetëm dekreti skandaloz dhe tërësisht arbitrar e i papërgjegjshëm i zonjës Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, sepse me të janë tronditur themelet e rendit kushtetues më shumë dhe më thellë se çdoherë tjetër nga 17 shkurti 2008 e deri më sot.
Nacionale: Moszgjedhja e presidentin në seancën e djeshme, a mund të ketë ndonëj pasojë juridike dhe kushtetuese?
Hasani: Asnjë pasojë juridike nuk ka mund të prodhojë dhe nuk prodhon shkelja e afatit tridhjetëditor.
Nacionale: Nëse gjatë kësaj kohe, gjatë periudhës 60-ditore, do të zgjidhej presidenti, kjo zgjedhje a do të ishte në përputhje me Kushtetutën?
Hasani: Jo. Sigurisht që jo. Por pasoja juridike nuk do të prodhonte, veçanërisht jo pasojën e dhënies së të drejtës Presidentit të Republikës për shpërndarje të Kuvendit të Kosovës. Asnjëherë këtë të drejtë nuk e ka Presidenti i Republikës kur shkelet afati tridhjetëditor. Asnjëherë!
Nacionale: E gjithë çështja po sillet rreth nenit 82 dhe 86 të Kushtetutës. Disa juristë po e interpretojnë nenin 82, kurse disa nenin 86. Cili prej këtyre neneve vlen në këtë rast dhe pse?
Hasani: Asnjëri! Ata që flasin mbi bazën e këtyre dy neneve qartë shihet që nuk i kanë lexuar dy aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.