Marrëdhëniet ndërkombëtare "nuk janë fushë e etikës, por fizikës politike" | Intervistë me filozofin Blerim Latifi
Horizontin që ai e pikturon përmes fjalëve është një pamje e qartë e interesit nacional.
Filozofi dhe profesori Blerim Latifi, është ekzemplar – prej të vetmëve në frekuenca televizive kombëtare – i mendimit esëll; i çpasionuar dhe me logjikë të kulluar kur është puna te shtjellimi i së vërtetës (dhe çjerrjen e të pavërtetave) në çështjet mbi të cilat është i thirrur të flet.
Por ama pasion-plot në atë që qëndron – të asaj “of paramount importance”; e që, për të, shumë shpesh, të jehon të jetë Shteti.
Nga Blerim Latifi – prej të cilit në ligjërimet e tij në fakultet jam sfiduar me pyetje si “Pra, atëherë, çka është shteti? Meqë po e përdor fjalën ‘shtet’ me aq kollaj” – mëson, po qe se mësimin e ke qëllim në vete; dhe atë mu nga një filozof që soditjen dhe dijen e ka qëllim në vete.
Jo rallëherë Latifi në televizion merr posturën e një qortimtari publik kur flet për “raportin e forcave” si “ligj themelor në marrëdhëniet ndërkombëtare” mbi të cilën shtjellon atë se në çka në fakt konsiston fuqia e vendit në raport me shtetin shovinist-fqinj – Serbinë – dhe nevojën e qëndrimit të vendit në linjën amerikane.
Latifi – i cili është antiteza e personave jerm që të shfaqen çdo ditë në televizion nën atribute të ‘analistave’ – thotë për Nacionalen se realizmi tij në vështrimin e këtyre çështjeve burimin e ka në atë se “marrëdhëniet ndërkombëtare nuk janë fushë e etikës politike, por e fizikës politike (e as) fushë e vullnetit të mirë, por e interesave materiale”.
“(Marrëdhëniet ndërkombëtare) Nuk janë fushë e njeriut të mirë rusoian, por e njeriut të rrezikshëm hobsian. Në këtë kuptim kush do të mbajë shtet, duhet të piqet me urtësitë e realizimit politik”.
Latifi e ka një vështrim aspak optimist sa i përket aktualitetit të shoqërisë kosovare – e cila krejt vezët i ka vendosur në një shportë: në politikë – për çka edhe shpreht se “të foksuar në arritjen e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, ne kemi harruar nevojën për të normalizuar jetën tonë të përditshme”.
Përtej kërcënimit të sigurisë që vie nga fqiu verior, Latifi thotë se ne kemi harruar një siguri të një natyreje tjetër, e që s’është aspak më pak e rëndësishme për jetërat tona: një “safety...të jetës tonë të përditshme”.
Nacionale ka biseduar me profesorin Blerim Latifi për një numër çështjesh: prej pezmatimit të mendjes popullore me politikën/anët; shëndetin socio-politik të vendit; trajtat e përçudshme të islamit politik që kanë penetruar në skenën politike dhe shoqërore të vendit; potencën që këta forca politike eventualisht mund ta materializohet dhe manifestohet në pesha më të ndjeshme në vend; vështrimin e tij prej realisti të gjendjes së shtetit në raport me aleancën Trans-Atlantike; aleancë me të cilën jo pak kush e sheh të ketë pësuar një frakturë të konsiderueshme.
Intervista e plotë me Blerim Latifin:
Nacionale: Ka qenë një vit politikisht i rrëmujshëm ku i tërë fokusi ka qenë në veri dhe në dialogun me Serbinë. Gjithçka tjetër që ka të bëjë me jetën e përditshme të qytetarëve ka mbetur e heshtur dhe thuajse e patrajtuar. Ju edhe vetë e keni potencuar këtë një numër herësh. Çka po i bën kjo gjendje “shëndetit” socio-politik të vendit në mendimin tuaj?
Blerim Latifi: Ballafaqimi për një kohë gjatë me mesazhe të përditshme negative dhe me ngjarje negative që vijnë njëra pas tjetrës, e detyron subjektin që ose të zhvillojë mekanizma mbrojtës, të cilët ia mundësojnë të adoptohet me kushtet e një ambienti të tillë social, ose të manifestojë sjellje traumatike në pamundësi për t’u adaptuar. Thënë në përgjithësi shoqëria kosovare u përket atyre shoqërive që janë mësuar të jetojnë në gjendje të jashtëzakonshme, së paku që nga viti 1981. Ne jemi mësuar të jetojmë me pasojat e asaj që sociologët e quajnë “dhunë strukturore”, e me të cilën duhet të kuptojmë ndikimin negativ dhe represiv të kushteve socio-politike mbi nevojat e njerëzve. Kjo nuk do të thotë se mungojnë sjelljet truamatike. Përkundrazi edhe këto janë shumë të shprehura. Madje kurba e tyre është duke e ngritur. Viti që po e lëmë pas është një dëshmi e kësaj. Të foksuar në arritjen e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, ne kemi harruar nevojën për të normalizuar jetën tonë të përditshme. Të shqetësuar për sigurinë tonë kolektive, kombëtare, sigurinë në kuptimin militar të fjalës, ne kemi lënë pas dore që në terminologjinë socio-politike angleze quhet “safety”, pra një lloj tjetër sigurie që ka të bëj me jetën tonë të përditshme, me sigurinë nga rreziqet që kërcëojnë këtë jetë dhe e bëjnë shpeshherë të padurueshme atë. Ta zëmë jetojmë në ndërtesa të cilat nuk kanë asnjë garanci sigurie, sepse janë ndërtu pa përfillur standartet e mbrojtje nga tërmetet. Sa herë dalim në rrugë, e ekspozohemi rrezikut nga ngasës të çmendur makinash. Shikoni vetëm këtë vit kemi mbi 100 viktima në komunikacion. Mbi 11 mijë të lënduar. Tjetra: market tona janë të mbushura me produkte false e më afate të rrejshme përdorimi. Njejtë ndodhë edhe me farmacitë. Pastaj është ambienti i ndotur gjithandej. Qentë e rrugëve pastaj. Dhuna në familje, në rrugë dhe në rrjetet sociale. Kjo listë e agjentëve që veprojnë negativisht mbi psikikën tonë do të mund të vazhdonte edhe më shumë. Krejt kjo na e jep pasqyrën e një shoqërie të traumatizuar dhe ky fakt më së miri shprehet në dëshirën masive për t’u larguar, për të emigruar.
Nacionale: A mendoni ju se shoqëria kosovare – aq e përthithur në katrahurën politike –do të mund të çmagjepset nga politikanët dhe betejat politike dhe të tejkalojë mendërinë tipike ballkanase në një evropiane, të angazhimit në botëra tjera progresi, shkence, arsimi, kulture e arti?
Blerim Latifi : Gjeneratat e 50 viteve të fundit janë gjenerata të rritura në kushtet e një shoqërie të politizuar deri në skajshmëri. Janë gjenerata që e kanë përbrendësuar idenë se çdo gjë e rëndësishme në jetë ka të bëj me politikën. Kjo natyrisht ka shkaqe të qarta historike, sepse duke filluar nga viti 1981 ne vazhdimisht jemi përballur me probleme radikale politike, fillimisht me krizën dhe rënien e Jugosllavisë socialiste, pastaj me regjimin fashist të Milosheviqit, përvojën traumatike të luftës dhe spastrimin etnik, pastaj me vitet e paqartësisë për statusin final të Kosovës, gëzimin e shkurtër të pavarësisë dhe venitjen e shpejtë të iluzionit se me shpalljen e pavarësisë të gjitha brengat tona do të merrnin fund. Krejt kjo ka ndikuar që të krijohet tradita e një kulture politike në të cilën njerëzit mendojnë se fati i tyre është i pandashëm nga gjërat që ndodhin në politikë. Këtu e ka burimin ajo që ju e nënkuptuat në pyetjen tuaj, pra magjepsja nga politika. Ndërsa e shtroni nevojën për çmagjepsjen nga politka dhe politikanët, duhet ta kemi të qartë se kjo gjë mund të arrihet vetëm të filloj të ecë mbarë e vetmja fushë e jetës shoqërore që, të themi me një frazë popullore, e bën bajate politikën. Kjo fushë është ekonomia. Kur zhvillohet ekonomia, politika natyrshëm e humbet aurën e saj. Dhe anasjelltas kur nuk ka ekonomi në një vend, atëherë politika shndërrohet në biznesin më të rëndësishëm të atij vendi. Sigurisht një pjesë e shkaqeve për problemin të cilin e shtruat në pyetjen tuaj ka të bëj me mentalitetin e vjetër socialist, i cili ia ngarkon shtetit të gjitha përgjegjësitë për jetën e njeriut. Fatkeqëisht ky mentalitet ende është shumë i përhapur në shoqërinë tonë dhe kjo ndikon që politika të përjetohet me intensitet të lartë emocional. Ralf Dahrendorf, sociolog gjerman, duket se kishte të drejtë kur tha pas rënies së komunizmit, në fillim të viteve ’90, se do duhen gjashtë muaj për t’i ndryshuar struktura politike të socializmit real, gjashtë vjet për t’i ndryshuar strukturat e tij ekonomike dhe gjashtëdhjetë vjet për të ndryshuar mentalitetin e tij. Të jemi të qartë se me këtë mentalitet nuk pritet asgjë e rëndësishme edhe në ati fushat tjera të cilat i përmendët në pyetjen tuaj, pra në shkencë, art e edukim. Unë jam i prirur të mendoj se derisa nuk e tejkalojmë, ta quajmë kushtimisht, këtë skizofreni socio-kulturore, këtë çarje midis të jetuarit formalisht në një shoqëri liberale dhe mentalisht në një shoqëri socialiste, do ta kemi vështirë ta marrim veten.
Nacionale: Një dimension tjetër – ndaj së cilës ju përherë keni qenë kritikë – ka qenë islami politik. Sot, në këtë legjislaturë, me shumicën më të madhe parlamentare dhe më homogjenen ndonjëherë, ne pamë një frakturë të qartë kur ishte puna te Kodi Civil. 14 deputetë të Vetëvendosjes ishin jo vetëm kundër, por edhe kishte prej tyre me gjuhë absolutisht jo të kësaj kohe dhe jo të karakterit sekular, modern dhe bashkëkohor. Çfarë thoni ju për këtë grupacion politik që thirret në “ruajtjen e vlerave familjare” si lajtmotiv të qëndrimit të tyre politik?
Blerim Latifi: Islami politik nuk është tendencë e brendshme e shoqërisë kosovare, sepse nëse e shohim traditën politike shqiptare e kuptojmë se shqiptarët kurrë nuk e kanë kuptuar politikën në terma fetarë. As në kohët më të vëshira gjatë historisë Islami politik në Kosovë është tendencë e sponsorizuar nga jashtë Kosovës dhe ka një qëllim krejtësisht politik e aspak fetar. Me këtë dua të them se islami politik në Kosovë është përdorim i islamit nga kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës për ta dëmtuar konsolidimin e shtetit të Kosovës. Dhe këtu rolin kryesor e ka Serbia. Pra qëllimi është që të diskreditohen kredencialet europiane të shtetit të Kosovës, në mënyrë që një ditë të krijohet imazhi se ky shtet nuk mund të funksionojë në bazë të vlerave politike europiane dhe për rrjedhojë statusi i tij duhet të rishikohet. Pra e tërë është lojë e rrezikshme politike, e maskuar me terma fetarë. Shumica e partive politike, përfshirë edhe Vetëvendosjen kanë flirtuar me këtë lojë të rrezikshme, për qëllime puro elektorale dhe me këtë i kanë bërë dëm interesit nacional të vendit dhe vetë traditës shqiptare të praktikimit jopolitik dhe liberal të islamit.
Nacionale: Është thënë – dhe janë dhënë mjaftueshëm indikacione – se ky grup (ose pjesë e tij) brenda Vetëvendosjes synojnë formimin e një partie politike më vete me motive islame; dhe se pikat në të cilat do të kapitalizojnë janë pikërisht këto: “ruajtja e vlerave familjare” që përkthehet në përjashtim a priori ndaj pakicave seksuale e gjinore. A mendoni se mund të kenë shtrirje elektorale një grupacion i tillë dhe çfarë do të thotë kjo për shtetin tonë liberal, perëndimor e të përkushtuar në lirinë dhe të drejtat universale të njeriut? Dhe a mund të kenë në fakt terren këto tema në Kosovë?
Blerim Latifi : Këto fraza moraliste për “vlerat e familjes” e blla blla blla, janë vetëm fraza në dukje të mirëqena, nën të cilat fshihen qëllimet për të cilat fola më lart. Kosova është shoqëri sekulare dhe shtet sekular. çdo agjendë që synon me ndryshu këtë fakt, automatikisht shkon në favor të Serbisë, e cila aspiron shkatërrimin e këtij shteti. Kosova është shtet liberal, pra i ngitur mbi liritë dhe të drejtat e njeriut dhe çdo agjendë me ndryshu këtë fakt, prapë po them, i shkon në llogari vetëm dhe vetëm Serbisë. Po e përsëris : këtu është fjala për një betejë të madhe politike, beteja për të ardhmen e shtetit të Kosovës. Ky shtet ka të ardhme vetëm duke duke e përputhur gjeografinë e tij europiane me vlerat politike dhe kulturore europiane. Në të kundërtën s’ka shansa të mbijetoj, sepse ne nuk jemi diku jashtë Europës, në Lindje të Mesme, por brenda Europës.
Nacionale: Në leximit tuaj të politikës, unë ju kam lexuar kaherë si realist. Dhe, më kujtohet që pas arritjes së Marrëveshjes së Ohrit, ju shpreheshit se “(...)që nga koha e Tukididit, themeluesit të realizmit politik : në tryezën e negociatave rëndësinë themelore e ka raporti real i forcave midis shteteve që përfaqësojnë negociatorët”. Sot, me një Kosovë që marrëdhëniet i ka acaruar thellë me aleatët, sponzorët dhe mbrojtësit të saj, ky “raport forcash” a mendoni se është përkeqësuar dhe në çka tjetër mund të konsistojë forca jonë kyçe nëse jo saktësisht te ato aleatë, kur jemi përmbyllja përfundimtare e shtetësisë dhe Serbinë agresive, shoviniste, mohuese dhe luftuese ndaj qenësisë së shtetësisë së Kosovës?
Blerim Latifi: Kosova është duke kaluar nëpër një moment gjeopolitik shumë delikat. Lufta në Ukrainë na ka vendosur në një situatë të papritur. Në çka konsiston kjo situatë? Të jemi realistë aktualisht prioriteti i Perëndimit nuk është problemi i Kosovës me Serbinë, por largimi i Serbisë nga orbita e ndikimit rus. Kjo e shpjegon faktin se pse sot Serbia trajtohet me aq dashamirësi nga Perëndimi, edhe atëherë kur bën probleme rreth e rrotull. Merreni rastin e fundit, sulmin në Banjskë, për të cilin Serbia nuk është dënuar. Serbia është duke bërë çmos për ta përdorur këtë strategji të Perëndimit në dëm të Kosovës. Pra terreni nëpër të cilin po lëvizim është tejet i rrëshqitshëm dhe po nuk patëm kujdes në hapat që hedhim, sigurisht që do të rrëzohemi keq. Unë ia kam frikën kësaj situate, sidomos kur shoh se klasa politike në Kosovë nuk duke treguar ndjeshmërinë e nevojshma ndaj saj. Dhe këtu në rradhë të parë duhet thirrur në përgjegjësi pushteti aktual. Sa i përket raportit të forcave, duhet thënë se ky përbën ligjin themelor të marrëdhënieve ndërkombëtare. Marrëdhëniet ndërkombëtare nuk janë fushë e etikës politike, por e fizikës politike. Nuk janë fushë e vullnetit të mirë, por e interesave materiale. Nuk janë fushë e njeriut të mirë rusoian, por e njeriut të rrezikshëm hobsian. Në këtë kuptim kush do të mbajë shtet, duhet të piqet me urtësitë e realizimit politik.