Instituti gjerman pranon autorësinë e draft-statutit për Asociacionin: Versioni i publikuar është i vjetër
Instituti gjerman “Friedrich-Ebert-Stiftung” ka pranuar autorësinë e draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, i cili është publikuar dje.
Ky institut ka konfirmuar se bashkë me Institutin Evropian për Paqe, ka qenë autor të atij dokumenti.
Në një përgjigje për RTV Dukagjinin, ky institut ka bërë me dije se janë duke e hartuar një version të ri të draftit, duke shtuar se versioni i publikuar ka qenë i vjetër.
“Versioni që u publikua dje është një version i vjetruar. Shpresojmë që së shpejti ta përfundojmë punën tonë dhe ta ndajmë më pas me publikun”, është thënë në përgjigjen e instituti.
Instituti ka treguar se drafti është hartuar nga zyra e saj në Prishtinë.
“Jo. Vërejtjet e Vuçiq janë të pasakta. Ky është një projekt i realizuar nga Zyra e Fondacionit Friedrich-Ebert në Prishtinë. Zyra jonë partnere në Beograd nuk ishte e përfshirë në hartim. Çdo përfshirje e zyrës sonë partnere ishte e kufizuar në mbështetje logjistike”, ka vlerësuar instituti.