IML mohon daljen e raportit preliminar për vdekjen e Agon Zejnullahut: Po bëjmë përpjekje maksimale
Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML) ka dalë me një njoftim zyrtar, duke sqaruar se ende nuk ka përfunduar raporti preliminar i autopsisë për të ndjerin Agon Zejnullahu, i cili vdiq në orët e para të mëngjesit të së hënës nën rrethana tejet të dyshimta – ngjarje që ngriti pikëpyetje serioze për tejkalim të autorizimeve ligjore nga ana e policisë.
Sipas IML-së, autopsia është kryer dje me urdhër të Prokurorisë së Shtetit nga një ekip i udhëhequr nga eksperti kujdestar mjekoligjor, në prani edhe të zyrtarëve të caktuar nga Policia e Kosovës. Megjithatë, nga IML deklaruan se po bëhen “përpjekje maksimale për të kryer sa më shpejt edhe analizimin histopatologjik dhe toksikologjik të mostrave indore të cilat janë marrë gjatë autopsisë në mënyrë që të hartohet sa më shpejt raporti i autopsisë.”
Njoftimi:
Me urdheresë nga Prokuroria e Shtetit, dje në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) është kryer autopsia për të ndjerin Agon Zejnullahu.
Autopsia është kryer nga ekipi i udhëhequr nga eksperti mjeko ligjor kujdestar dhe me pjesëmarrjen edhe të zyrtarëve policor të caktuar nga Policia e Kosovës.
Ne kemi parë sot nëpër portale të ndryshme lajmin se ka dalur raporti preliminar për rastin në fjalë.
Me përgjegjësi morale e profesionale, deklarojmë se nga IML nuk ka dalur ndonjë raport i tillë, dhe ky lajm si i tillë është jo i vërtetë.
Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me Prokurorin e Shtetit që e ka rastin dhe jemi duke bërë përpjekje maksimale për të kryer sa më shpejt edhe analizimin histopatologjik dhe toksikologjik të mostrave indore të cilat janë marrë gjatë autopsisë në mënyrë që të hartohet sa më shpejt raporti i autopsisë.
IML është e përkushtuar në mandatin e saj ligjor, në mënyrë që të ofroj ekspertizën mjeko ligjore për organet e drejtësisë dhe qytetarët e Kosovës.