Ikjet nga VV-ja: Partia e Kurtit kërkon zëvendësim e Rrahmanit, Millakut e Korenicës në komisionet e Kuvendit
Eman Rrahmani, Visar Korenica dhe Drita Millaku kanë një të përbashkët. Të tretë janë larguar nga Lëvizja Vetëvendosje. Dy të parët, pra Rrahmani e Korenica, themeluan “Listën për Familje”, ndërsa Millaku u anëtarësua në LDK-në e Lumir Abdixhikut. Megjithatë, këta tre tashmë kanë edhe një simbolikë tjetër përbashkuese, pasi VV-ja ka kërkuar që tre deputetët të zëvendësohen nga disa komisione parlamentare.
Në një dokument të siguruar nga Nacionale, Mimoza Kusari Lila, shefe e grupit parlamentar të VV-së, i ka shkruar Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku ka kërkuar që Rrahmani, Korenica e Millaku të zëvendësohen nga disa deputetë të tjerë të VV-së.
Në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, VV-ja ka kërkuar që të zëvendësohen deputetët Rrahmani e Korenica me dy deputetë të tjerë besnikë të VV-së, Nijazi Isaku dhe Shqipe Metaj Isufi. Po ashtu, Kusari Lila ka kërkuar që Korenica të zëvendësohet me deputetin e VV-së, Besim Muzaqi në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike.

Ndërsa VV-ja ka kërkuar që Millaku, tash në LDK, të zëvendësohet në dy komisione nga deptuetët e VV-së, Jetmire Vrenezi dhe Milazim Salijaj. E pyetur për këtë temë, Millaku nuk e ka konsideruar si “hakmarrje”. Madje, Millaku i tha Nacionales se ka dhënë dorëheqje nga këto dy komisione ditën kur është larguar nga VV-ja.
“Unë nuk e konsideroj hakmarrje se kur e kam dorëzuar kërkesen për largimin tim nga LVV-ja edhe nga grupi parlamentar kam dhënë dorëheqje edhe nga dy komisionet, andaj nuk e konsideroj hakmarrje” – ka thënë Millaku.
Sjellim ndër mend që javën e kaluar Millaku u anëtarësua në LDK, duke u bërë ikja e radhës nga VV-ja, e cila ka humbur disa deputetë gjatë gati katër viteve të fundit.
“Si një figurë e respektuar në Prizren dhe një deputete e mandatuar për dy herë, ajo na vjen si aset i rëndësishëm partiak, dhe si kuadër për programin tonë politik dhe të ardhmen e vendit tonë. Me Dritën kemi diskutuar gjatë për vizionin tonë të përbashkët për Republikën; për arsimin në veçanti, për programin tonë politik dhe të ardhmen e vendit tonë. Drita ka një pasion për librin, por edhe për të krijuar mundësi për të rinjtë dhe gratë në Kosovë. Ajo e kupton rëndësinë e bashkëpunimit dhe e sheh ndërtimin e një rrugëtimi të përbashkët si një mënyrë për të realizuar ndryshime të qëndrueshme, ato që sot LDK po i ofron. Besimi i saj në potencialin e Kosovës, së bashku me përkushtimin e saj për arsim janë motive që e bëjnë Dritën tejet të rëndësishme në këtë proces” – shkroi Abdixhiku në postimin e mirëseardhjes së Millakut.
Në anën tjetër, Rrahmani dhe Korenica kanë nisur një jetë të re politike me “Listën për Familjen”, duke u bërë pjesë e një koalicioni me AKR-në e Behgjet Pacollit e PD-në e Ferid Aganit.