Ibrahimi thotë se Qeveria nuk ka realizuar asnjë kërkesë të komunave
Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, është ankuar në injorimin e kërkesave të komunave nga Qeveria e Kosovës.
Ai ka bërë me dije se deri me tani Qeveria Kurti ka refuzuar të gjitha kërkesat e komunave të Kosovës.
Në një intervistë për Kosovapress, Ibrahimi ka treguar për kërkesat që janë injoruar nga Qeveria Kurti.
“Asnjë zotim, asnjë kërkesë e komunave që është parashtruar që dy vite e më shumë, nuk ka pasur asnjë përpjekje nga niveli qendror që ta zgjidhë problemin. E kemi problemin me grantin e katërt, amendamentimin e ligjit për prokurim publik, kontratat kolektive që janë duke u marrë me dhjetëra miliona euro komunave. Komunat kanë kërkuar ndihmë. Eliminimin e burokracisë apo politizimin e proceseve sa i përket themelimit të ndërmarrjeve publike lokale, ku në disa raste niveli qendror me qëllim i zvarrit proceset vetëm e vetëm që mos t’ia lejojë komunave krijimin e ndërmarrjeve publike lokale edhe pse ato i përmbushin kriteret e kërkuara nga ligji për ndërmarrje publike”, është shprehur Ibrahimi.