Ibrahim Rugova apo Hashim Thaçi: Kë zgjedh Agron Shehaj në videon sfiduese
“Dëshira është e madhe dhe nuk mund të parashikoj numrin e deputetëve por le të themi të jemi në gjendje të bëjmë një grup parlamentar” – thotë Agron Shehaj, kryetar i partisë Mundësia kur u pyet nga Zëri i Amerikës rreth synimeve dhe pritshmërive që ka për zgjedhjet e 11 majit që mbahen në Shqipëri.
Në këtë video, Burim Pacolli sfidon Agron Shehajn, politikanin shqiptar që u nda nga Partia Demokratike (dhe ka një aktvitet të jashtëzakonshëm politik gjatë viteve të fundit), të zgjidhte mes dy figurave si Enver Hoxha apo Ahmet Zogu, Ibrahim Rugova apo Hashim Thaçi, Skënderbeu apo Nënë Tereza, etj.
Kush është Agron Shehaj: Njiheni si politikan vetëm nga intervista e fundit te Zëri i Amerikës
“Unë kam dalë nga Partia Demokratike bashkë me një grup të rinjsh që kanë të njëjtin mendim me mua që mendonin se Partia Demokratike duhej të ndryshonte, gjë që nuk ndodhi kështu që ne vendosëm të dilnim jashtë PD-së me një qëllim afatgjatë”, thotë ai dhe vazhdon:
“Zgjedhjet e ardhshme janë hapi i parë që të realizojmë këtë qëllim”, thotë Shehaj.
I pyetur rreth mundësisë së bashkëpunimit të partisë së tij, me ndonjë parti tjetër opozitare në Shqipëri, Shehaj thotë:
“Me partitë tjera na dallojnë shumë pika, sidomos me qasjen ndaj drejtësisë ku ne jemi e vetmja forcë politike që arrijmë të mbushim sheshet me mijëra mbështetës në mbrojtje të drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit.
Kjo na dallon nga forcat tjera politike me mbështetje domethënëse.
Dallohemi edhe sepse jemi rritur me forcë politike që kur flasim për të ardhmen se po të lexosh programin e forcave tjera politike e quajnë shtetin si zgidhje të problemit të shqiptarëve, duan një shtet më të madh më shumë burokraci.
Ne jemi të vetmit që duam një shtet më të vogël, që mendojmë se shteti nuk do zgjidh problemet e shqiptarëve por janë ata që do sigurojnë jetë më të mirë për familjet e tyre”
Fragmentarizimi i skenës politike në Shqipëri
Duke qenë se vetë z.Shehaj, u nda nga Partia Demokratike dhe marrë parasysh historikun e fragmentarizimit të skenës politike në Shqipëri, a do të jetë e mundur që partitë krijuar së fundmi si kjo e z.Shehaj, të korrin sukses në zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri?
“Varet se çka quajmë fitore. Synimi ynë është që t’i japim Shqipërisë një qeveri të pakorruptuar, jo vetëm të ndërrojmë disa politikanë.
Rotacioni në vetvete është shumë i rëndësishëm dhe votat tona do shkojnë kundër Qeverisë Rama, por këtu nuk është folur kurrë për një bashkim, nuk është folur për interesat e qytetarëve” - jep përgjigje në këtë pyetje Agron Shehaj.
Shehaj: SPAK-u s’është i përkohshëm, është i përhershëm
E udhëhequr nga Agron Shehaj, “Mundësia” mund të jetë e vetmja parti në Shqipëri që nuk kritikon dhe nuk e sulmon SPAK-un.
Rreth kritikave që Prokurorisë së Posaçme (SPAK) i bëhen nga thuajse të gjitha partitë politike në Shqipëri, z. Shehaj thotë se ‘janë absolutisht të gabuara’.
“Janë absolutisht qëndrime në këndvështrimin tonë të gabura, votat e partisë tonë nuk do të shkojnë kurrë kundër drejtësisë, do shkojnë në mbrojtje të drejtësisë dhe në luftën kundër korrupsionit.
Ka një luftë kundër drejtësisë sidomos kundër SPAK-ut, duke e quajtur atë gjykatë speciale, ose të përkohshme.
SPAK nuk është as speciale as e përkohshme, në Kushtetutë parashihet si prokurori e përhershme, por thjesht po përgatitet terreni për të shkatërruar SPAK-un”, thotë ai.
Dhe përfundon:
“Politikanët e vjetër do bëjnë çmos që më 11 maj të fitojnë zgjedhjet, për të shpëtuar veten e tyre”.