“Ia huqin”: Feraj e Hoxha vazhdojnë kritikat ndaj ShBA-së e Francës
Hysamedin Feraj dhe Elvis Hoxha, dy ideologët jozyrtarë të VV-së, kanë “mprehur” lapsin, duke u lëshuar në kritika ndaj ShBA-së dhe Francës. Ata kanë përdorur shkronjat e testaturës për të shënjestruar dy vendet mike të Kosovës. Dhe kjo nuk është hera e parë.
Në fakt, që javën e fundit, Feraj e Hoxha kanë pasur shumë kritika posaçërisht për Francën. Me shumë gjasë, dy bashkëpunëtorët e kryeministrit Albin Kurti “janë habitur nga qëndrimi i Francës”, pikërisht siç ishte habitur Luigj Gurakuqi në filmin “Nëntori i Dytë”.
Të dy, pra Feraj e Hoxha, kanë përmendur ambasadorin amerikan në Serbi, Christopher Hill.
Sidoqoftë, le të ndalemi së pari te Feraj, i cili përveç Francës, dje kritikoi edhe ShBA-në në lidhje me listën e zezë. Në shkrimin e tij, Feraj ka hedhur dilema që lista e zezë e ShBA-së nuk është aspak e zezë, por ka nuanca.
Ferja, që është këshilltar i kryeministrit Albin Kurti, ka pretenduar se ShBA-ja po e respekton Aleksandër Vulinin, ish-shef i BIA-s serbe i sanksionuar nga Amerika, ndërsa po e ndëshkon me izolim Sali Berishën, ish-kryeministër i Shqipërisë që është në listën e zezë amerikane.
“Lista e zezë nuk është aq e zezë!
Dodiku, Vulini, Ramiz Merko, Berisha, janë në listën "e zezë"të SHBA-ve.
SHBA ,
KRITIKOJNË ftesën dhe pritjen e Dodikut në Senatin francez,
RESPEKTOJNË Vulinin duke e ftuar vetë për festën amerikane në ambasadë nga Hilli,
HESHTIN për Ramiz Merkon e BDI-së,
NDËSHKOJNË me izolim Berishën...
Pra, lista e zezë nuk është aspak e zezë, por me të gjitha nuancat.” – ka shkruar Feraj.
Më “luigjkurakuq” është tregua Hoxha. Për dallim nga Feraj, Hoxha ka vazhduar të fokusohet në kritikat ndaj Francës, vendin e Revolucionit Francez e njëherit shtetin ku studioi vetë “ideologu vëvëist”.
Megjithatë, edhe Hoxha, porsi Feraj e përmendi Hillin.
“Ambasadori francez në Beograd, i kapur nga zilia, konkurron me Hillin se kush e ka më mirë me Vuçiçin. Të dy ia huqin. Më mirë e ka ambasadori rus. Në fund, të dy ambasadorët perëndimorë do të kuptojnë se kanë punuar që të rritet edhe më shumë dashuria serbo-ruse.” – shkroi Hoxha fillimisht.
Hoxha ka bërë një pretendim të çuditshëm.
“Sepse serbët e dinë se dashuria e rusëve i bën më joshës se ç'janë në të vërtetë për perëndimorët. Pa rusët, serbët do të ishin jashtë vëmendjes. Me respektin për serbët, perëndimorë, amerikanë apo francezë, fuqizojnë edhe më shumë ndikimit rus në Ballkan.
Ndoshta Hilli është i ndërgjegjshëm në shërbimin që kryen përderisa fton Vulinin në ambasadën amerikane, por kam frikë se ambasadori francez si dhe presidenti i tij kanë tepër ambicje. Ashtu si në kohën kur presidenti francez relativizonte ligësinë e Putinit. Gabim që përsëritet në histori. Edhe Chamberlain mendonte se kishte ndikim të Hitleri” – ka shkruar Hoxha.