Ia huq emrin Aleancës, i thërret si kryeministër: Problemet e ftesës së Kurtit për liderët e opozitës
Lideri i VV-së, Albin Kurti, dje u ka dërguar liderëve të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së një ftesë për takim. Ftesa është pranuar vetëm nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ndërsa është refuzuar nga Bedri Hamza i PDK-së dhe Ardian Gjini i AAK-së.
Ftesa e dytë e Kurtit pas zgjedhjeve të 7 qershorit për liderët e pozitës përmban disa probleme dhe pasaktësi.
Ndonëse takimet janë ftuar për të gjetur një zgjidhje për zgjedhjen e presidentit, në ftesë nuk përmendte ky qëllim.
Aty thuhet se takimet janë ftuar për të "biseduar për rrugën përpara".
Gjithashtu, ftesën Kurti nuk e ka dërguar si kryetar i LVV-së, por si kryeministër në detyrë.
Në këtë mënyrë, liderët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së janë ftuar për takim në Kryeministri dhe jo në Kuvendin.
Me një gjë të tillë nuk është pajtuar as Lumir Abdixhiku, i cili ka pranuar të takohet.
Zëdhënësi i kësaj partie, Besian Mustafa, ka thënë se takimi do të mbahet në ora 18:00 në ambientet e Kuvendit të Kosovës dhe jo në Kryeministri
Ndër të tjera, ftesa e Kurtit përmban edhe një huqje të madhe.
Aty partisë së tretë opozitare nuk i referohet me emrin e ri si “Aleanca”, por me atë të vjetrin.
Këto detaje në ftesën e Kurtit për liderët janë komentuar edhe nga njohësit e rrethanave politike.
Analisti Shenoll Muharremi ka vlerësuar se ftesa nuk ishte serioze.
“1. Takimi nuk ftohet në Kryeministri, por në Kuvend, sepse ti nuk po flet si kryeministër, por si kryetar partie. 2. Kur e fton dikë, duhet me ia tregu qëllimin. Ty të duhet mbështetja për formimin e institucioneve, sidomos për kuorumin për Presidentin. Me thanë "për rrugën përpara" i bjen pa asnjë qëllim specifik dhe është tepër gjenerike. 3. AAK e ka ndryshu emrin. Tash është Aleanca. Duhet me i ditë qito detaje, se fundja ty të duhet përkrahja e tyre, prandaj duhet me ia shkru emrin saktë”, ka shkruar ai.
Edhe deputetja e zgjedhur e PDK-së, Eliza Hoxha, e ka komentuar këtë ftesë.
Në profilin e saj në Facebook, Hoxha ka shkruar se kjo ftesë është e pavlefshme.
“Pse ftesa e Kryeministrit në detyrë është e pavlefshme? E para nëse e shikojmë Kushtetutën e Kosovës, nenin 70 pika 2 për mandatin e deputetit ai tregon që mandati i deputetit fillon që nga dita e çertifikimit të rezultateve. (Foto 1) Kjo i bie që z.Kurti dhe të gjithë ministrat në detyrë qé nga 8 Korriku është dashur të japin dorëheqje nga posti i Qeverisë në detyrë”, ka shkruar ajo në profilin e saj në Facebook.