“I thamë të gjejë ndërtesa tjera për kryetarët dhe të largojë njësitet speciale nga komunat”: Shtëpia e Bardhë për bisedën me Kurtin
Të enjten mbrëma Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pranoi një telefonatë nga Zëvendësi i Këshilltarit për Siguri Kombëtare, Jon Finer, ku edhe paraqiti zmbrapsjen e parë të tij drejt zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme në katër komunat veriore të banura me shumicë serbe. Shtëpia e Bardhë, mëngjesin e së shtunës doli me një komunikatë të saj për media ku shpjegoi kërkesat ndaj Kurtit: gjetja e ndërtesave alternative për kryetarët e rinj dhe zhvendosja/largimi i njësive speciale nga afërsia e komunave.
“(Jon Finer) nxiti Qeverinë e Kosovës që të lejojë kryetarët e rinj të zgjedhur të ushtrojnë detyrat e tyre prej lokacioneve alternative dhe të tërheq forcat policore nga ndërtesat komunale”, shkruhet në komunikatë, ndërsa shtohet se Finer “mirëpriti gatishmërinë” e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, “për të punuar drejt kushteve për zgjedhje të reja (në veri)”.
Zëvendësi i Jake Sullivan, siç kumtohet në komunikatë, u shpreh se pret nga të dyja palët, përkatësisht nga Kosova dhe Serbia, angazhim në Dialogun e Fascilituar nga Bashkimi Evropian për normalizim të marrëdhlnieve, si dhe zbatimin e plotë të marrëveshjes për normalizim të arritur në Bruksel dhe Ohër.
Të enjten Kurti njoftoi në llogarinë e tij në Twitter për bisedën me Jon Finer, ku la të kuptohej se ishte zmbrapsur në plotni prej insistimit kategorik të kursit të tij në veri, dhe se ishte pajtuar për zgjedhje të reja.
Pleased to speak w/ @POTUS Principal Deputy NSA Jon Finer. Thanked him for his call & committed to work w/ 🇺🇲 to de-escalate tensions. This requires an immediate end to violence by Belgrade-sponsored mobs against security officers until new elections in those municipalities.
— Albin Kurti (@albinkurti) June 1, 2023