I shkoi bërtimë e madhe në Kuvend derisa po fliste Donika Gërvalla: Kush u largua në atë mënyrë dhe pse? - NACIONALE

I shkoi bërtimë e madhe në Kuvend derisa po fliste Donika Gërvalla: Kush u largua në atë mënyrë dhe pse?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Derisa kryediplomatja Donika Gërvalla po thoshte fjalën e saj në Kuvendin e Kosovës, një britmë u dëgjua në prapavijë.

Ishte deputeti, tashmë i pavarur, Haki Abazi i cili në atë moment, u largua nga seanca.

“22 hektarë...” – bërtiti ai derisa po largohej.

Kemi të bëjmë me 24 hektarë, megjithatë, ka gjasë që deputeti nga nervoza t’ia ketë humbur dy prej tyre.

Në të njëjtën kohë, ministrja Donika Gërvalla po fliste në Kuvend dhe ishte duke përmendur pikërisht votimin e suksesshëm në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës.

“Mbetet ende punë për të bërë, ndoshta deri në maj, por ndoshta edhe në një moment tjetër, e rëndësishme është që vota prej 82 për qind është konfirmim i fuqishëm që Kosova është një shtet me demokraci të konsoliduar.” – u shpreh Gërvalla mes tjerash.

Për më shumë, ndiqeni videon më poshtë:

Nacionale ka kontaktuar deputetin Abazi për ta pyetur rreth kësaj “proteste” të tij në Kuvend, megjithatë, ai nuk ka kthyer përgjigje.

Sidoqoftë, Abazi ka përmendur hektarët që iu dhanë Manastirit të Deçanit. Ky ishte një prej kushteve që Kosova e pranoi, për t’iu afruar anëtarësimit në KiE.

Pas gati një dekade kundërshtim, kryeministri Albin Kurti i bëri thirrje Agjencisë Kadastrale që të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese se 24 hektarë të tokës përreth i takojnë Manastirit.

Vlen të theksohet se Abazi në anën tjetër, deri para një viti ka qenë deputet i VV-së, e madje, në mandatin e parë të kryeministrit Kurti, ka qenë edhe zëvendës i tij.

Abazi u largua nga VV-ja me akuza të shumta drejtuar partisë e zyrtarëve të lartë aty.

Lajme të ngjashme