I mbante karrigen të dënuarit, i lidhur me VV: A është Armend Hamiti 'Elezi' kryeprokuror? - NACIONALE

I mbante karrigen të dënuarit, i lidhur me VV: A është Armend Hamiti 'Elezi' kryeprokuror?

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Gati pësë orë ka zgjatur procedura e intervistimit për pesë kandidatët që synojnë pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit. Transmetimi i plotë i intervistave është bërë të shtunën në transmetuesin publik [RTK]. Gazeta Nacionale kishte raportuar të shtunën për procesin e intervistimit për secilin kandidat veç e veç.

I pari që u ul në karrigen për t’u intervistuar ishte Armend Hamiti, aktualisht prokuror në Prokurorinë e Prishtinës. Ai para anëtarëve të komisionit vlerësues shpalosi planet e tij për përmirësimin e sistemit prokurorial, duke theksuar për së paku tri herë, luftën ndaj korrupsionit, krimit të organizuar dhe veprave të tjera penale.

Hamiti ka vlerësuar si prioritet rritjen e besueshmërisë së publikut në sistemin prokurorial, dhe për këtë ka përmendur edhe rritjen e bashkëpunimit me mediet.

“Mos të shikohet emri mbiemri, vetëm a ka prova e këto t’i çojmë në gjykatë, e atje t’i fitojmë rastet, jo pastaj të na rëzohen aktakuzat e kjo është keq. Konfiskimi i pasurisë do të ndikojë në kthimin e besimit. Kryeprokurori nuk duhet të qëndrojë gjithë ditën në zyrë, ne duhet të kemi koordinim të punëve”, ka thënë Hamiti.

Ai është pyetur për integritetin, e ku ka folur për raportimet në media, rreth takimit me një person që kishte të kaluar kriminale. Këtë, Hamiti ka thënë se ia kanë bërë qëllimshëm, duke e identifikuar të afërt me Vetëvendosjen.

“Asnjë shkelje disiplinore nuk e kam pasur. E kam parë një shkrim që ka qenë tendencioz dhe i orkestruar. Duket se jam duke i penguar dikujt. Njëherë më kanë thënë je me LDK-në, pastaj me PDK-në e AAK-në, tash po më thonë edhe me Vetëvendosjen. Këto janë shpifje ndaj meje dhe unë do të marrë masa ligjore”, ka shtuar kandidati për Kryeprokuror, Armend Hamiti.

Por kush është në të vërtetë Armend Hamiti?

Armend Hamitit, anipse gjatë intervistimi tha se nuk asnjë shkelje disiplinore, “Paparaci”, ia ka publikuar para disa ditëve fotografitë e tij të takimeve me të dënuarin Shaban Kilaj dhe implikimet që e lidhin me të.

Një person që njihet si mashtrues duke u thirrur si njeri i Amerikës, rezulton të jetë njëri i afërt me prokurorin e krimeve të rënda, Armend Hamiti.

Shaban Kilaj është dënuar për kontrabandim me migrantë. Është i dënuar për mashtrim. Është i dënuar për kërcënim të një zyrtari policor të Kosovës. Po ashtu është i dënuar për falsifikim të një shume të konsiderueshme dollarësh amerikanë – raporton ky portal.

Paparaci, ka siguruar fotografi të takimeve të Hamitit dhe Kilajt. Një i tillë është zhvilluar mbrëmjen e 20 nëntorit 2021 në restorantin “Pinokio” në Prishtinë. Aty, shihet prokurori Hamiti duke e nderuar një kriminel të dënuar për disa vepra penale. Madje ia mbante karrigen.

Hamiti është kandidati që Paparaci thotë se po përkrahet nga pushteti i Vetëvendosjes së udhëhequr nga Albin Kurti. Ky pushtet nuk po lë “gurë” pa lëvizur me qëllim që i pëlqyeri i pushtetit të bëhet kryeprokuror.

Fotografitë dhe dëshmitë e siguruara nga portali i udhëhequr nga Vehbi Kajtazi tregojnë se Hamiti dhe Kilaj janë në lidhje të afërt dhe diskutojnë edhe për raste penale të cilat i ka në hetim dhe gjykim prokurori.

Shaban Kilaj, veçanërisht, akuzohej nga Prokuroria e Shtetit për kryerjen e tri veprave penale. Prokurorja Drita Hajdari e ndoqi atë penalisht për kontrabandë me migrantë, falsifikimit të parasë dhe kanosjes.

Në aktakuzën e asokohe prokurores së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kilaj përfshihej në kontrabandimin e katër personave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ngjarja kishte ndodhur në vitet 2010-2011.

Sipas aktakuzës, në bashkëpunim me zyrtarë qeveritarë të kohës, Kilaj kishte kontrabanduar migrantë për në ShBA duke përdorur vizitën zyrtare të ish-zëvendëskryeministrit, Hajredin Kuçi.

“Të pandehurit Shaban Kilaj dhe Xhevat Krasniqi në vitin 2010 dhe 2011 në Prishtinë, sipas marrëveshjes paraprake, e me qëllim që vetes t’i sjellin përfitim pasuror të kundërligjshëm janë marrë me kontrabandim të migrantëve”, thuhet në aktakuzë, raporton Paparaci.

Ndërkohë, Armend Hamiti renditet i katërti në garën për Kryeprokuror të Shtetit, duke qenë i vlerësuar me 80.6 pikë nga anëtarët e komisionit vlerësues.

Lajme të ngjashme