“I ka humbur durimi me Qeverinë”: A u prish Kurti me Gjermaninë? - NACIONALE

“I ka humbur durimi me Qeverinë”: A u prish Kurti me Gjermaninë?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Manuel Sarrazin, i dërguar i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, ishte goxha i drejtpërdrejt dhe jonatyrshëm i hapur. Në një konferencë, Sarrazini kishte disa kritika për Qeverinë e Kosovës, sidomos në mungesën e kapjes së momentumit. Pas këtyre deklaratave, Sarrazini është përballur me disa kritika në Kosovë nga ana e pushtetit, por ka bërë që të shtrohet një pyetje e thjeshtë: a u prishëm me Gjermaninë?

Gjermania ka qenë një nga përkrahëset më të mëdha të shtetit të Kosovës, ndërsa është shteti që investon më së shumti në ekonominë kosovare. Megjithatë, tashmë ka debat nëse Gjermanisë i ka humbur durimi me Qeverinë e Kosovës, që udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti.

Durimi i sosur i Gjermanisë?

Në lidhje me durimin e Gjermanisë ose thënë më saktë me sosjen e durimit, ka folur Blerim Canaj, analist e dikur diplomat i Kosovës. Në Kanal 10, Canaj foli për përshtypjen e tij se ka një far humbje të durimit të Gjermanisë në raport me Qeverinë Kurti.

“Kam përshtypjen se është një far humbje e durimit ose e paradurimit në raport me Qeverinë. Thuhet se gjermanët janë të durueshëm, por kur është puna te puna dhe te proceset nuk besoj që njihen dhe nuk janë shumë të durueshëm…Nëse flasim për Gjermaninë, është një shtet që gjithmonë e kemi pasur afër vetes, në çdo proces. Madje, madje e di sidomos kur ne kemi pasur nevojë për përkrahje, sidomos në organizata ndërkombëtare dhe jo vetëm, ka pasur diplomatë gjermanë që kanë lobuar te shtetet që nuk kemi pasur qasje. Që i bie se Gjermania gjithmonë ka qenë një partner i rëndësishëm strategjik në Kosovë” – tha Canaj në Kanal 10.

Ndërsa analisti tjetër, Astrit Gashi ka sqaruar se “Qeveria Kurti është në probleme me ShBA-në dhe Gjermaninë”. Tutje, Gashi ka shtruar një pyetje të rëndësishme: kë e ka Kosova sot aleat?

“Kënd i ka Kosova aleatë sot? Francën, vështirë me pasë aleat, me Francës ti je gëzu që nuk është kundërshtar ndër vite. Pra i ke pasë ShBA-në që e ke pasë aleate, të cilët të kanë sulmu vazhdimisht që sa vite, me të drejtë apo pa të drejtë, por të kanë sulmu vazhdimisht dhe të kanë thënë që me Kosovën momentalisht nuk i kemi puntë mirë. Opa. Ke thanë e kam Gjermaninë bile në BE. Tash lufta që po e bën Gjermania me Qeverinë Kurti është e ngjashme me betejën që e kanaë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Njëjtë janë duke e trajtuar. Kosova në këtë moment, ka mbetur pa aleat...Sot për sot, Qeveria Kurti është në problem me ShBA, me Gjermaninë, me Francën s’mund llogarit në sukses, kush na mbështet neve?” – ka thënë Gashi në RTV Dukagjini.

Sjellim ndër mend që Qeveria e Kosovës i është përgjigjur kritikave të Sarrazinit në lidhje me mosanëtarësimin në Këshillin e Evropës. Në përgjigjen e Qeverisë flitet për “meritat” e Kosovës dhe angazhimin në lobim të “institucioneve të Kosovës”.

“Si rezultat i angazhimit të diplomacisë sonë, me 24 prill 2023 u kalua faza e parë suksesshëm me mbi 2/3 e nevojshme dhe me 16 prill 2024 kishim një votë të fuqishme në favor të anëtarësimit të plotë, ku 82% e delegatëve të Asamblesë Parlamentare, duke përfshirë edhe ata nga vendet mosnjohese, votuan në favor të Kosovës. Kjo dëshmon në radhë të parë meritat e Kosovës por edhe angazhimin e institucioneve të Republikës së Kosovës që ajo të bëhet pjesë e kësaj organizate të rëndësishme” – ka thënë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeizu.

Lajme të ngjashme