I ftoi të garojnë në zgjedhje: 3 sulme të Kurtit ndaj Gjykatës Kushtetuese
Lëvizja Vetëvendosje thirret në vendimin e Gjykatës Kushtetuese për çështjen me të cilën janë përballur më së shumti prej kur kanë marrë pushtetin – Asociacionin. Megjithatë, jorrallë herë kur ligjet i janë kthyer prapa, zyrtarë të partisë, deri tek ata më të lartit, kanë hedhur akuza e sulme ndaj institucionit më të lartë të interpretimit të rendit kushtetues e juridik në vend. Në shumë raste, atyre u është bashkuar edhe kryeministri Albin Kurti.
Njëjtë, ai veproi edhe të premten kur foli rreth vendimit të Kushtetueses për rrëzimin e Ligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
“…të dy këto ligje si reforma thelbësore për sistemin e drejtësisë dhe luftimin e korrupsionit u konsultuan edhe me Komisionin e Venecias që i aprovoi të dy këto. Me gjithë këto, Gjykata Kushtetuese rrezo të dy ligjet, duke zgjedhur kësisoj të vonoi ndjekjen e krimit, ta vonoi reformën tone.” – tha ai duke përmendur edhe Ligjin për Këshillin Prokurorial.
Përveç që akuzoi Kushtetuesen se po vonon “ndjekjen e krimit”, shefi i Qeverisë foli edhe për mënyrën e votimit:
“Me 5 vota për në raport me 4 vota kundër, Gjykata Kushtetuese ka gjetur që Kushtetuta është shkelur me Ligjin për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Paluajtshme, duke treguar kështu që Kushtetuta ndryshe shihet nga gjysma e gjyqtarëve të Kushtetutës , në raport me gjysmën tjetër të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese”.
Ftesa për zgjedhje
Brenda këtij viti, Kurti e ka sulmuar edhe herë të tjera Gjykatën Kushtetuese. Në një intervistë për mediumin publik, ai kishte krahasuar Kushtetuesen me Komisionin Parlamentar për Legjislacion.
“Gjykata kushtetuese praktikisht është duke e zëvendësuar me trajtimin e ligjeve që ne e kalojmë në kuvend në Komisionin Parlamentar për Legjislacion. Ne kemi Komision Parlamentar për Legjislacion, të gjitha ligjet janë tu përfundu në Gjykatë Kushtetuese.” – kishte thënë Kurti.
Shefi i ekzekutivit kishte ftuar Kushtetuesen që të garojë në zgjedhje, pasi sipas tij, “po merret me gjithçka”.
“Nuk besoj se Gjykata Kushtetuese do të duhej të pranonte, duke pasur Komisionin Parlamentar për Legjislacion, ta trajtoj secilin ligj që e kalon mazhoranca aty e që janë thelbësore për reformat që ne i bëjmë. Sidoqoftë ajo po i trajton. E keni pa që po merret me nivel të pagave, po merret me çmimet tavon, po merret me gjithçka. Në këtë kuptim unë e ftoj Gjykatën Kushtetuese që në zgjedhjet e ardhshme të garojnë edhe ata, le të garojnë në zgjedhje”.
Nuk do të kalonin 24 orë, Kurti do të hidhte sërish akuza ndaj Gjykatës Kushtetuese. Sipas tij, ky institucion po bënte “profesorin e ekonomisë, por s’po e bënte mirë”.
“Gjykata e jonë Kushtetuese e ka bërë profesorin e ekonomisë, por nuk do të thosha që e ka bërë mire…”
Madje, në shqyrtimin e Ligjit për Paga, sipas kryeministrit, Kushtetuesja kishte ndërhyrë në pushtetin ekzekutiv.
“Në politikat tona fiskale ka pasur ndërhyje të gjykatës Kushtetuese. Gjykata Kushtuese po na thotë neve kështu. Qysh i mblidhni ju të hyrat është punë e juaj, por qysh e shfrytëzoni pyetemi ne. Po kjo nuk është fer. Prandaj, edhe unë kam thënë kërko votën në zgjedhje. Sepse në zgjedhje me programe partitë politike garojnë si mblidhen të hyrat dhe si shpenzohen ato. Gjykata Kushtetuese i ka thënë qeverisë tonë mblidhni të hyrat qysh të dush e qysh i shpenzon pyetemi ne.” – ishte shprehur ai mes tjerash.