I bastiset lokali 'Kobrës', policia i gjen së paku tri gëzhoja në vendin e ngjarjes - NACIONALE

I bastiset lokali 'Kobrës', policia i gjen së paku tri gëzhoja në vendin e ngjarjes

3 vjet më parë

nga Gentiana Hasani

Policia e Kosovës ka bastisur shtëpinë dhe lokalin e Dibran Hoxhaj pas vrasjes që dyshohet se ndodhi mbrëmë jashtë lokalit të quajtur "Kobra City" e që si pasojë mbeti i vrarë një 31-vjeçar me origjinë nga Shqipëria.

I kemi bastisë shtëpinë. Hetimet janë në vazhdim kemi gjetë së paku tri gëzhoja jashtë lokalit”, ka thënë togeri i policisë së rajonit të Prizrenit Shaqir Byryqi për Nacionalen.

Një sherr i nisur mbrëmë në njërin nga lokalet e Prizrenit ka përfunduar me vrasjen e një 31-vjeçari. Atje dyshohet se u vra shtetasi nga Shqipëria, Visart Cengu. I dyshuari kryesor sipas hetuesisë besohet të jetë kosovari Dibran Hoxhaj i njohur ndryshe si Kobra. Bashkë me Dibranin janë edhe pesë persona të tjerë që po intervistohen nga Policia.

Për Nacionalen detaje për këtë ngjarje ka dhënë prokurorja e rastit.

Sipas prokurores së rastit Nazan Shero i dyshuari Dibran Hoxhaj bashkë me disa të tjerë po e vazhdojnë intervistimin në stacionin e Policisë në Prizren.

"Jemi në hetime e sipër. Ende nuk kemi asgjë konrete. Të gjitha veprimet hetimore jemi duke i ndërmarrë. Nuk mundem asgjë tjetër me iu konfirmu. Të gjithë ata që kanë qenë prezent, edhe Dibrani edhe të tjerët janë duke u intervistuar. Ekspertiza do të tregojë se si u vra”, ka thënë Shero për Nacionalen.

E tutje si pasojë e sherrit që besohet se nisi në lokalin ku besohet se Kobra është pronar, u plagos edhe një person tjetër i moshës 27-vjeçare.

Intervistimi i Kobrës po vazhdon edhe në këto momente në stacionin policor të Prizrenit.

Lajme të ngjashme