Hysenit nuk i pëlqen qasja e Abdixhikut, thotë se është 100 herë më LDK se ai
Ish-anëtari i LDK-së, Skender Hyseni është shprehur se është 100 herë më LDK se sa kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku.
Hyseni ka thënë se nuk pajtohet me qasjen e Abdixhikut për dialogun Kosovë – Serbi dhe për planin evropian.
“Unë e kam dëgjuar Lumirin e kam dëgjua dhe shumë të tjerë anëtarë të kryesisë së LDK-së. Unë nuk pajtohem me këtë qasje, unë jam më LDK-së se Lumir Abdixhiku 100 herë. Në çështjen e marrëveshjes, është gabim të sulmohet kushdo-qoftë, sepse është marrëveshje ultimative e vendosur në tavoline, është ndëshkim ndërkombëtar për politikat luftënxitëse edhe në Kosovë dhe Serbi dhe duhet të kuptohet qartë dhe është ndërprerje e një katandisje të mëtejme të Kosovës, është mirë të nënshkruhet, është mirë që opozita të sillet pak më ndryshe.” - ka thënë Hyseni në RTV Dukagjini.
Sipas Hysenit, kryeministri Albin Kurti mund të sulmohet për shumë gjëra dhe se ka mjaft hapësira për ta kritikuar, por jo edhe për planin evropian.
“Opozita mund frontalisht ta sulmojë Kurtin për 100 mijë çështje të tjera, ka boll çështje që mund ta zënë Kurtin ngushtë. Por nëse provojnë ta zënë ngushtë për nënshkrimin e marrëveshje është gabim, sepse nuk ka rrugë tjetër. Alternativa është vazhdimi i katandisjes, vazhdimi i konfrontimit me bashkësinë ndërkombëtare. SHBA-së mbi të gjitha i intereson të ruhet një stabilitet dhe të krijohen disa dispozita elementare që situata të krijohet stabile.” - ka thënë ai.
