Hoxhaj: Njohja e plotë evropiane e Kosovës, mbrojtje për konsolidim të demokracisë
Deputeti nga radhët PDK-së, Enver Hoxhaj, ka ndarë pjesë të fjalimit të tij të mbajtur në Kongresin e Vjenës, ku është folur për tensionet e reja globale, konfliktin ruso-ukrainas, krizën energjetike dhe klimën.
Përmes një postimi në Facebook, Hoxhaj ka treguar se në këtë konferencë ai ka thënë se njohja e plotë evropiane e Kosovës dhe intregrimi i vendit në bashkësinë euroatlantike është mbrojtje edhe për konsolidimin e demokracisë dhe izolim të autokracisë.
“Në një kohë kur demokracia po kërcënohet çdokund në botë, njohja e plotë evropiane e Kosovës dhe integrimi i saj në bashkësinë euroatlantike është mbrojtje, edhe për konsolidimin e demokracisë por edhe për izolimin e autokracisë në Ballkan,”- është një pjesë e ndarë e fjalimit të Hoxhajt.
Më tej, ai ka thënë se Serbia është bastion i autoritarizmit në Ballkan, ashtu siç është Rusia dhe Kina në botë, ndërsa ka shtuar se për Kosovën është urgjente të arrijë një marrëveshje me Serbinë për njohje të ndërsjellë, si një gurthemel i paqes në Ballkan.
