Hovenier nga Gjakova: Jemi të shqetësuar me disa zgjidhje politike që ka bërë Qeveria Kurti
Ambasadori i Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka vizituar sot Gjakovën ku është takuar me kryetarin e komunës, Ardian Gjini.
Pas takimit, Hovenier në një konferencë për media foli rreth miratimit të Projektligjeve të KPK-së dhe KPM-së.
Ai deklaroi se Amerika është e shqetësuar me disa zgjidhje politike që ka bërë qeveria e Kosovës.
“Do ta them atë që e kam thënë gjithmonë. Përkushtimi i SHBA-së ndaj popullit të Kosovës është i fuqishëm dhe i hekurt si gjithmonë. Prandaj edhe jam sot këtu sot në Gjakovë. Por kjo nuk nënkupton që pajtohemi me çdo zgjidhje të bërë nga çdo qeveri e Kosovës. Dhe nuk është më sekret që qeveria ime bashkë me disa nga partnerët me të cilën punojmë, kemi disa shqetësime për disa zgjidhje politike të cilat i ka bërë Qeveria Kurti dhe të cilat e pamundësojnë atë çka dëshirojmë të arrijmë për Kosovën” ka thënë ambasadori Hovenier.
Ai shtoi më tutje se bashkëpunimi në të ardhmen të jetë sa më të ngushtë në mënyrë që kur të ketë çështje të vështira, të gjendet mundësi që të çohen përpara më lehtë.”
Hovenier tha se qeveria amerikane këshillon Kosovën që ligjet që miratohen nga Kuvendi i Kosovës të jenë në përputhje me normat evropiane.
Hovenier deklaroi se pas miratimit të Ligjit për KPK-në dhe KPM-në, ka biseduar me zyrtarët e qeverisë.
“Unë kam pasur rastin që të bisedojë me zyrtarët e qeverisë. Kuptoj që ka ndjenja të fuqishme nëse janë ligjet në përputhje me normat evropiane apo jo. Këshilla është që të sigurohen që çdo legjislacion që të jetë në përputhje me normat evropian, sepse ne natyrisht mendojmë që Kosova të jetë anëtarë e BE-së, NATO-s, prandaj mendojmë që nuk është edhe shumë e mençur që ato organizata evropiane e kanë thënë që këto projektligje nuk janë në përputhje me normat evropiane”, shtoi Hovenier.
Kuvendi i Kosovës miratoi javën e kaluar Projektligjet për Këshillin Prokurorial dhe atë të Komisionit të Mediave.
Ky vendim u përcoll me reagime të shumta si vendore ashtu edhe ndërkombëtare.
Sipas reagimeve nga BE-ja, dy projektligjet nuk janë në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Evropian.
Megjithatë kjo nuk i ka bërë përshtypje Qeverisë së Kosovës e cila me një komunikatë për media, e mbrojti vendimin e saj që të shtyhen përpara këto Projektligje. Pavarësisht kësaj, reagimet ndërkombëtare kanë vazhduar, dhe kjo konfirmohet edhe nga deklarata e Hovenier.