Hovenier lavdëron ‘lidhjen e veçantë’ mes Kosovës dhe ShBA-së: Çka thonë analistët? - NACIONALE

Hovenier lavdëron ‘lidhjen e veçantë’ mes Kosovës dhe ShBA-së: Çka thonë analistët?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Që nga ndërhyrja e NATO-s për ta ndalur spastrimin etnik të shqiptarëvë në 1999-të, kosovarët ShBA-në e shihnin me mirënjohje dhe si engjëll mbrotjës. Por me ardhjen në pushtet të liderit të majtë, Albin Kurti, zyrtarët amerikanë nga Qeveria e Kosovës nuk trajtohen si me parë dhe diplomatët e aleatit më qenësor të Kosovës shpeshherë “kryqëzohen” virtualisht në rrjete sociale. A kanë ndryshuar gjërat edhe për qytetarët kosovarë?

Për një gjë të tillë foli edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff. Hovenier në intervistën për emisionin “Rubikon” të Klan Kosovës.

Hovenier fillimit tha se beson në marrëdhënien e mirë të popullit të Kosovës me popullin amerikan, teksa tregoi se shpreson që Dita e Pavarësisë së ShBA-së të festohet edhe në shtetin Kosovar.

Kam ndjenjën se 4 korriku festohet gjithmonë në Kosovë duke pasqyruar partneritetin dhe marrëdhënien e veçantë që Shtetet e Bashkuara dhe populli amerikan e kanë me popullin e Kosovës dhe po shpresojmë në kremtim të mirë të Ditës së Pavarësisë edhe këtu”, tha ambasadori amerikan.

Më pas diplomati amerikan vazhdon të këmbëngulë në besimin e tij, se kosovarët janë akoma mirënjohës dhe proamerikan si deri tash.

E dini, ndjenjat janë të nxehta tash për tash, por nuk e ndjej se në komunitetin e Kosovës më gjerësisht njerëzit nuk janë mirënjohës për rolin e Shteteve të Bashkuara në 20 vitet e fundit në Kosovë. Por, mendoj se në disa pjesë janë befasuar që nuk po pajtohemi thjeshtë me atë çka dëshiron të bëjë Qeveria e Kosovës pikërisht tani. Dhe kjo është për keqardhje. Por, mbështetja jonë për Kosovën, si ide, si vend, si trajektore, që është e palëkundur dhe këmbëngulëse, nuk nënkupton që do të mbështesim çdo zgjedhje të bërë nga cilado qeveri e Kosovës”, tha ai.

Por, Hovenier nuk la pa përmendur komentet negative ndaj zyrtarëve amerikanë në rrjetet sociale.

I kam parë komentet. Nganjëherë i lexoj komentet në rrjetet e mia sociale. Është e sigurt që jo të gjithë i mirëpresin qëndrimet tona të politikave dhe e kuptoj këtë, por besoj se ajo që po e bëjmë është më e mira që i ndihmon Kosovës për të arritur objektivat e saj të fundit, të cilat i ndajmë të gjithë”, tha tutje Hovenier.

Raporte të keqija…

Politologu Shkodran Ramadani, thotë se tani është rritur një diskurs sovranist që dominon sferën publike.

Në një përgjigje për gazetën Nacionale, Ramadani tha raportet me Amerikën, sado të këqija, nuk janë në një pikë të pakthim.

Po të bësh një sondazh ku i pyet kosovarët se a janë pro amerikanë, mbi 90% do të thonë “PO”. Mirëpo, me këtë pyetje nuk arrin ta kuptosh situatën. Në momentin kur bën nënpyetje, ku iu pyet se sa i rëndësishëm është pro-amerikanizmi dhe kur iu bën pyetje që e ndesh pro-amerikanizmin me bindjet e tyre partizaneske, atëherë fillon të krijohet një pasqyrë më e qartë. Tani pro-amerikanizmi është poshtë në listën e prioriteteve të qytetarëve. Tani është rritur një diskurs sovranist që dominon sferën publike, parlamentin, mediat dhe kafenetë e Kosovës. Në vete, ky diskurs nuk është problem dhe mund të jetë i shëndetshëm sepse rritë ndjenjën e përgjegjësisë. Mirëpo, kur shkon në ekstrem, ky diskurs mund të shkaktojë telashe”, tha politologu.

Rrjedhimisht, edhe raportet me Amerikën, sado të këqija, nuk janë në një pikë të pakthim. Siç e tha edhe vetë ambasadori amerikan, “mospajtimet ekzistojnë, por objektivat strategjikë ende i kemi të njëjtë”. Pa u përplasur në objektivat strategjikë, koordinimi taktik nuk do të jetë i mjaftueshëm për rrënim të raporteve. Megjithatë, fatkeqësisht gjërat nuk janë duke ecur në drejtimin e duhur dhe ndoshta moskoordinimi taktik do të përshkallëzojë edhe në mospërputhje strategjike, por mbetet të shihet”, vazhdoi ai me tutje.

E, njohësi i politikave në vend, Abit Hoxha, mendon se Kosova tani shënon relacionet me të ulta më ShBA-të.

Hoxha për gazetën Nacionale tha se megjithatë do të festohet 4 korriku në Kosovë.

Mendoj se festimi i 4 korrikut në Kosovë tanimë është traditë kulturore për vlerat e përbashkëta demokratike edhe si symbol i përkrahjes së lirisë. Edhepse, tani relacionet e Kosovës me ShBA janë në një nivel të ulët, mendoj se do të ketë festë së paku simbolike”, tha Hoxha.

Lajme të ngjashme