Hovenier arrin në zyrën e BE-së: Fillon takimi me dy kryetarët e komunave në veri
Ka arritur në zyrën e BE-së në Prishtinë, ambasadori amerikan, Jeff Hovenier.
Në takim gjithashtu kanë arritur edhe kryetarët e Leposaviqit edhe Zubin Potokut, Ilir Peci dhe Izmir Zeqiri, raporton Nacionale.
Takimi ishte planifikuar për në orën 09:00.
Temë kryesore pritet të jetë situata e fundit në veri dhe tensionet atje, pas vendosjes së kryetarëve nëpër objektet komunale.
Gazeta Nacionale ka kontaktuar me kreun e Zveçanit, Ilir Peci për të marrë më shumë detaje rreth takimit.
I pyetur nëse do të jap dorëheqje, nëse ShBA-ja ia kërkon, Peci ka deklaruar se “varet nga takimi”.
“Për besë nuk mundem me të thanë diçka të tillë. Nuk e di të shohim, krejt varet nga takimi.” – ka thënë ai për Nacionale.
Peci të premten u fut për herë të parë në ndërtesën komunale në Zveçan, ku edhe e nisi punën e tij si kryetar i kësaj komune.
Edhe sot janë tubuar serbët në tri komunat veriore të vendit. Në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, janë mbledhur serbët lokal për të kundërshtuar kryretarë e rinj të komunave. Forcat të shumta të Policisë së Kosovës janë parë afër objekteve komunale teksa është vrejtur edhe prania e KFOR-it.
Përfaqësues të Listës Serbe, janë bashkuar në turmat që po qëndrojnë para objektit komunal të komunës së Zveçanit.
Goran Rakiq bashkë me Igor Simiq sipas fotografive që ka dërguar gazetari i Nacionales, janë parë bashkë më serbë të tjerë para objektit të komunës.
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq është parë teksa ka biseduar me pjesëtar të KFOR-it.
Sipas raportimeve të Radio Evropa e Lirë, Rakiq ka kërkuar që kryetari i ri i Zveçanit të mos hyjë në komunë duke thënë se kjo është kërkesë e serbëve.
Më tej, ai ka kërkuar nga KFOR-i që të largojë Njësinë Speciale të Policisë së Kosovës.
Gjithashtu, Policia e Kosovës ka dhënë detaje për tubimin e serbëve para objekteve të komunave në veri të vendit.
Sipas policisë, protestuesit para objektit të komunës së Zveçanit kanë tentuar të kalojnë kordonë e policisë për t’u futur me dhunë në objekt dhe për këtë policia është detyruar të përdor sprej për të parandaluar.
“Protestuesit në forma të organizuara janë tubuar para objekteve të komunave të veriut si në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveqan për të protestuar, ku para objektit të komunës së Zveqanit protestuesit duke shfaqur dhunë dhe duke hedhur gaz lotsjellës kanë tentuar të kalojnë kordonët e sigurisë për tu futur me dhunë në objektin e komunës, ku Policia është detyruar të përdor mjetet e ligjshme si sprej-in, për të ndaluar protestuesit dhe për të vënë situatën nën kontrollë.” – thuhet në njoftim.