Hoti për Qeverinë: Të zhytur në batak, po fundosen më thellë
Kështu shkruan deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti:
Përgatitja dhe dërgimi i draft-statutit të asociacionit në Gjykatë Kushtetuese do të duhej të bëhej kur kërkonte SHBA-ja, e cila vitin e kaluar i kërkonte Qeverisë së Kosovës të përgatiste vetë draftin. SHBA-ja u zotua atëherë t’i ndihmojë Qeverisë së Kosovës në përgatitje të draftit. Qeveria nuk e mori parasysh atë kërkesë të SHBA-së. Si rezultat, Qeverisë iu dorëzua drafti nga BE-ja, në stilin merre ose lëre.
Kur zhytesh në batak, siç është zhytur Qeveria e Kosovës në procesin e dialogut, kërkon ndihmë për të dalë nga aty dhe një ndihmë e tillë nuk ka munguar nga aleatët dhe opozita. Nëse lëviz duke qenë i zhytur në batak, atëherë fundosesh më thellë. Mandej vështirë del edhe me ndihmën e miqve dhe nuk del pa pasoja.