Hoti për marrëveshjen ShBA-Serbi: Cenimi i partneritetit strategjik të Kosovës me SHBA-në duhet të jetë alarm shqetësues
Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi se kanë nënshkruar Marrëveshjen për Bashkëpunim Strategjik në Energji me Serbinë. Kjo gjë ka nxitur reagimin e ish-kryeministrit njëherit deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti.
Hoti përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se derisa Serbia nënshkruan marrëveshje, Kosova po vazhdon të jetë nën masat e BE-së si dhe kërcënimet për largim nga Procesi i Berlinit.
“Në anën tjetër, Kosova është nën masa financiare nga BE-ja për më shumë se një vit, të cilat i kanë bllokuar reformat ekonomike e institucionale të Kosovës drejt BE-së, siç përcaktohet me Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit Kosovë-BE të vitit 2016. Së fundmi, Kosova po kërcënohet nga vendet kryesore të BE-së me përjashtim nga Procesi i Berlinit, i cili është mekanizmi formal i përgatitjes së Ballkanit Perëndimor për integrim evropian. Po ashtu, kanë ardhur paralajmërime nga SHBA-ja se mund të ndërpritet bashkëpunimi me Policinë e Kosovës.” – ka shkruar ai.
Më tej, ai ka kërkuar nga qytetarët që të pyesin kryministrin Albin Kurti e presidenten Vjosa Osmani për Marrëveshjen e Ëashingtonit e disa pyetjet të tjera.
“Çdo qytetar sot duhet të pyes Kurtin dhe Osmanin: Përse nuk u zbatua Marrëveshja e Uashingtonit e 4 shtatorit 2020, e cila pritej të zgjidhte problemin e furnizimit me energji në Kosovë? Përse u anulua projekti i gazit? Përse nënçmohej partneriteti me SHBA për gaz duke iu referuar “aleanca e gypave”? Përse nuk u nis me amerikanët hekurudha për Durrës? Përse nuk u zbatua “Marrëveshja Kosovë-SHBA e 31 dhjetorit 2020 për nxitjen e investime”, e cila pritej të mobilizonte investimet amerikane në Kosovë? Kujt i përshtatet moszbatimi i Marrëveshjes së Uashingtonit nga ana e Kosovës?”
“Cenimi i partneritetit strategjik të Kosovës me SHBA-në duhet të jetë alarm shqetësues për secilin qytetar që e do Kosovën në BE dhe NATO, e në partneritet të ngushtë me SHBA-në.” – ka shkruar ndër të tjera ai.