Hoti për 6 kushtet e Kurtit: Janë jo relevante për diskutimin që po bëhet
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tashmë edhe deputet i LDK-së në Kuvendin e Kosovës, i ka parë si jo relevante 6 kushtet që i ka vendosur, Kryeministri Albin Kurti për Asociacionin.
Hoti ka thënë se janë jo relevante për diskutimin që po bëhet, dhe sipas tij tashmë Kosova gjendet në një fazë kritike të dialogut.
“Mendoj që janë jo relevante për diskutimin që po bëhet. Kosova ka filluar procesin e dialogut që nga viti 2011. Më 2013 është nënshkruar marrëveshja e përgjithshme dhe pastaj janë nënshkruar plot marrëveshje nëpër sektorë të ndryshëm që e kanë shtrirë sovranitetin e shtetit të Kosovës në gjithë territorin deri në masën që Kosova sot ka Zyrën Ndërlidhëse në Beograd. Tani jemi në një faze kritike të dialogut i cili për hir të vërtetës kishte strukturën shumë të mirë në qeverinë paraprake. Por kjo qeveri e ndërroi formatin e dialogut. Jemi në një pikë kritike kur duhet të bëjmë një hap të madh përpara.” – ka thënë ai për Zërin e Amerikës.
Sa i përket Asociacionit, Hoti ka thënë se nuk do të jetë jashtë strukturës së Kushtetutës së Kosovës.
“Sa i përket Asociacionit, është marrëveshja e vitit 2013 që është ratifikuar në Kuvend, pra që e ka bërë Asociacionin obligim të shtetit të Kosovës. Është marrëveshja e parimeve pastaj e vitit 2015 e cila e ka vendosur një siguresë ku thuhet që Statuti i Asociacionit e merr pëlqimin e Gjykatës Kushtetuese përpara se të dekretohet nga ana e qeverisë dhe janë deklarimet e vazhdueshme të partnerëve tanë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në veçanti, lidhur me Asociacionin që do të thotë se nuk do të jetë strukturë jashtë Kushtetutës së Kosovës. Tani është përgjegjësia e jona si spektër politik që të marrim përgjegjësi për shtetin e Kosovës dhe të lëvizim përpara në proces të dialogut, përfshirë edhe Asociacionin.” – ka deklaruar Hoti.
