Hoti: Pasiguria politike dhe ekonomike po i largon investitorët e huaj - NACIONALE

Hoti: Pasiguria politike dhe ekonomike po i largon investitorët e huaj

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka kritikuar Qeverinë, duke thënë se pasiguria politike dhe ekonomike po i largon investitorët e huaj dhe vendorë

Me anë të një postimi në facebook. Hoti ka thënë se paqartësia në dialogun me Serbinë, po ndikojnë në rënien e investimeve të jashtme në Kosovë.

“Asnjë investim i jashtëm i rëndësishëm nuk është parë në dy vitet e fundit dhe as nuk duket në perspektivë. Një investitorë i huaj që ishte në procedura për të marrë statusin e investitorit strategjik u refuzua nga Qeveria, edhe pse vendimi i Qeverisë ishte dërguar për miratim në Kuvend. Jo vetëm investime të jashtme, por as investime vendore nuk mund të ketë me gjithë këtë paqartësi politike”, ka shkruar ai.

Deputeti tha se bizneseve nuk po ju ofrohet siguri as në politikat e brendshme ekonomike.

“Pa asnjë analizë paraprake dhe pa konsultim me komunitetin e bizneseve, Qeveria mori këto vendime: (a) i ndryshoi normat tatimore të tatimit në pronë, të cilat u bën progresive dhe e rritën deri në trefish ngarkesën e tatimit në pronë për biznese; (b) vendosi tua marrë komunave menaxhimin e zonave ekonomike dhe të vendos ato zona nën menaxhimin e drejtpërdrejtë të një Agjencie të re Qeveritare; dhe (c) vendosi të shfuqizojë ligjin për investime të huaja dhe ligjin për investime strategjike. Të dyja këto ligje i shkriu në kuadër të ligjit të investimeve të qëndrueshme, i cili do ta dëmtoj shumë perceptimin pozitiv që ka Kosova sa i përket mbrojtjes së investimeve të jashtme”, tha ai.

Lajme të ngjashme