Hoti: Mungesa e Bordit të Trustit Pensional rrezikon qindra miliona euro investime
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mungesë të Bordit Trusti Pensional.
Në profilin e tij në “Facebook”, Hoti ka shkruar se mungesa e Bordit mund të dëmtojë investimet e Trustit, të cilat me qindra miliona euro.
Ai ka kërkuar mbledhje urgjente të Komisioni Parlamentar për Buxhet për të shqyrtuar këtë situatë.
“Mandati i anëtarëve të Bordit të Trustit Pensional ka mbaruar më 30.11.2022. Sipas ligjit është zgjatur mandati Bordit të vjetër edhe për 3 muaj, ky mandat shtesë ka mbaruar më 01.03.2023. Konkursi është shpallur para tre muajve më 02.12.2022, po deri më tani asnjë veprim nuk është ndërmarrë. Konkursi do të duhej të ishte shpallur disa muaj para se të mbaronte mandati i Bordit, në mënyrë që të kishte kohë të mjaftueshme për të zgjedhur Bordin e ri”, ka shkruar Hoti.
Ish-kryeministri ka treguar se si mund të dëmtohen këto investime.
“Mungesa e Bordit mund të dëmtojë investimet e Trusti me qindra miliona euro për shkak se: 1. Sipas ligjit, vetëm Bordi vendos për investime apo tërheqje të mjeteve të investuara. Në rast se ulet vlera e instrumenteve financiare ku janë investuar mjetet e Trustit, siç po ndodh muajve të fundit, askush nuk mund të bëjë ndryshime në portfolion e investimeve për të evituar uljen e vlerës së investimeve ekzistuese të Trustit. 2. Në mungesë të Bordit, kursimet e mbledhura nga Trusti gjatë këtyre muajve, që mund të jenë në miliona euro, nuk do të mund të investohen në tregje financiare. Kështu që, miliona euro të kursimeve të qytetarëve do të mbesin në trezorët e BQK-së të pa investuara që nuk sjellin asnjë kthim, të cilat do t’i zhvlerësoj inflacioni”, ka shkruar Hoti.