Historianët e Deçanit: Gjykata Kushtetuese po vendos me standarde të dyfishta
Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan ka kritikuar Gjykatën Kushtetuese se po përdor standarde të dyfishta në punën e saj.
Përmes një reagimi për medie, në të cilin historianët e Deçanit kanë përshëndetur vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për të iu njohur kontributin të gjithë punëtorëve të larguar nga puna me ligjet diskriminuese që kishte marrë Serbia për Kosovën, është kërkuar nga Kushtetuesja të reflektojë edhe ndaj vendimit për pronat e ndërmarrjeve të cilat i ka njohur në pronësi Manastirit të Deçanit.
“Andaj, nëse e analizojmë mirë vendimin e datës 30 dhjetor 2022 të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në lidhje me nenin 8, paragrafit 2, të Ligjit nr. 04/L-131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti lidhur me nenin 5 dhe 6 të Udhëzimit Administrativ (MPMS) nr. 09/2015 për Kategorizimin e Shfrytëzuesve të Pensionit Kontribut pagues sipas Strukturës Kualifikuese dhe Kohëzgjatjes së Pagesës së Kontributeve dhe Akt gjykimin e kësaj Gjykate të datës 20 maj 2016 në lidhje me pronat e Ndërmarrjeve “Apiko” dhe “Iliria” të cilat i janë njohur në pronësi Manastirit të Deçanit mbështetur në ligjet e kohës së viteve ’90-ta, atëherë kjo është dëshmi së Gjykata Kushtetuese e Kosovës punon, vepron dhe vendos me standarde të dyfishta”, është thënë në reagim.
Sipas historianëve të Deçanit, nëse analizohen këto dy vendeve të Kushtetuese shihet se ky institucion po vendos me standarde të dyfishta
“Analizimi i këtyre dy vendimeve të lartë cekura që bartin vulën e kushtetueses dhe vendimit të kësaj Gjykatë në lidhje me ankesën e parashtruar nga dy ish kandidatët për Prokurore të Shtetit, shihet qartë së Gjykata Kushtetuese e Kosovës punon, vepron dhe vendos me standarde të dyfishta. Ne, e përshëndesim vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të 30 dhjetorit 2022, me të cilin njihet kontributi i gjithë punëtoreve të larguar nga puna me ligjet diskriminuese që kishte marrë Serbia për Kosovën”, është thënë në reagim.