Historia e klinikës "fantazmë" brenda QKUK-së që u bë strehë e qenve endacakë - NACIONALE

Historia e klinikës "fantazmë" brenda QKUK-së që u bë strehë e qenve endacakë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Objekti që duhej të shërbente si Klinikë emergjente në QKUK ka mbetur vetëm në tulla. Ka vite që as edhe një gozhdë nuk është vendosur në klinikën i cila do ta shpëtonte mbingarkimin e QKUK-së.

Bëhet fjalë për Klinikën e Emergjencës së re të Qendrës Klinike e Universitare Kosovës.
Por objekti i kësaj klinike ka vite së fundmi u bë strehë e qeneve endacakë si dhe shtretërve të prishur që tash e disa muaj gjuhen aty nga punonjësit e QKUK-së. E gjithë kjo në mungesë të depove në këtë institucion shëndetësor. Por nga Ministria e Shëndetësisë tash po zotohen se brenda tri viteve objekti i emergjencës së re pritet të përfundoj.

Për Kliniken Emergjente në QKUK, buxheti është 16 milion euro, i paraparë që të realizohet për tri vjet, ndërsa në Ligjin e Buxhetit, janë paraparë 4.4 milion euro për këtë vit për këtë projekt”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Objekti sipas ministrisë do t’i ketë pesë salla operative me rreth 350 shtretër.

“Destinimi mbetet si Klinik Emergjente e QKUK-së. Jemi në proces te adaptimit të projektit paraprak me qëllim të evitimit të mangësive dhe plotësimeve të nevojshme teknike dhe funksionale sipas kërkesave të profesionistëve. Me këtë tender planifikohet që të kryhet infrastrukturë ndërtimore ( ndertimi i objektit)”, sqarohet tutje përgjigjen e MSH-së.

Projekti për këtë ndërtesë kishte filluar në vitin 2010 ndërsa punimet kishin nisur në vitin 2016 dhe më pas operatori ekonomik ishte tërhequr. Për punët e kryera në objektin ekzistues Ministria e Shëndetësisë ka paguar mbi 4.4 milionë Euro.

4.5 milionë euro për ndërtimin e objektit “fantazmë” të Emergjencës së Re

Që nga viti 2017 e deri më sot, për objektin e Emergjencës së Re në QKUK, Ministria e Shëndetësisë ka paguar afër 4.5 milionë euro.

Ministria e Shëndetësisë për periudhën 2017-19 ia dha 4.25 milionë euro operatorit ekonomik, “AL-Trade”, kompani që i ndërpreu punimet dy muaj para afatit të përfundimit.

Në vitin 2020, ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, pati deklaruar se hapësirat e Emergjencës së Re kishte në plan t’i shndërrojë në spital për Covid-19. Për këtë punë madje u nënshkrua edhe një kontratë e re për projektim dhe mbikëqyrje të punimeve.

Sidoqoftë, as kjo nuk u finalizua, ngase tenderi i fazës së dytë, ajo për ndërtimin dhe adaptimin e këtyre hapësirave, u anulua në prill të vitit 2021 me arsyetimin se nuk ka linjë buxhetore.

Megjithatë, objekti në fjalë u synua që të funksionalizohej në mandatin e tashmë ish-ministrit Rifat Latifi, i cili kishte thënë se për këtë po punohet një projekt i hollësishëm dhe se Qendra e Traumës mendohej të vendosej në këtë objekt. Megjithatë, as ky propozim i Latifit, si duket, nuk do të jetësohet pas dorëheqjes së tij nga pozita e ministrit të Shëndetësisë./Nacionale.com/

Lajme të ngjashme