Hilli thotë se Kurti s’e ka përkrahjen e Amerikës për veriun: Nevojë absolute formimi i Asociacionit - NACIONALE

Hilli thotë se Kurti s’e ka përkrahjen e Amerikës për veriun: Nevojë absolute formimi i Asociacionit

1 javë më parë

nga NACIONALE

Shtetet e Bashkuara të Amerikës sërish janë treguar goxha kritikë ndaj Qeverisë së Kosovës. Në një intervistë për një medie serbe, Christopher Hill, ambasadori amerikan në Serbi, ishte i qartë, duke thënë se ShBA-ja e ka bërë “absolutisht të qartë” se ardhmja e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është dialog.

Për veprimet e qeverisë kosovare në veri, Hill tha se Kurti nuk gëzon aprovim amerikan. “Informacione krejtësisht të pasakta”, i quajti ambasadori Hill, spekulimet se Qeveria e Kosovës me veprimet e saj në veri ka mbështetje të heshtur amerikane.

Në këtë intervistë, Hill tha se ShBA-ja e ka bërë të qartë “nevojën absolute për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”.

Mendoj se SHBA-ja e ka bërë shumë të qartë në disa raste ditët dhe javët e fundit atë që ne mendojmë se duhet bërë. Ne ishim shumë të qartë për çështjen e urës në Mitrovicë. E kemi të qartë edhe nevojën absolute për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Pra, mendoj se kemi dërguar mesazhe shumë të qarta dhe kemi qenë gjithashtu shumë të qartë se ata që devijojnë nga dialogu rrezikojnë të devijojnë nga politika jonë. Ajo që mund të them është se Serbia ka punuar shumë për këtë. Serbia ka bërë mirë duke iu përmbajtur dialogut dhe unë vërtet do ta inkurajoja Serbinë që të vazhdojë me të” – tha ai.

Në fjalën e tij, Hilli tha se Serbia ka punuar shumë dhe se “Serbia po i përmbahet dialogut”.

Duhet të them se Serbia, e di që kjo ishte shumë e vështirë për Serbinë, por Serbia po i përmbahet dialogut dhe mendoj se kjo është qasja e duhur. Do të duhet të shohim se si do ta kalojmë këtë. Por dua t'ju siguroj se është absolutisht qëndrimi ynë që dialogu i ka të gjitha elementet që mund t'i zgjidhin këto probleme dhe këto probleme duhet të zgjidhen me dialog” – tha ai.

Gjatë orëve të pasditës, edhe misioni i ShBA-së në OSBE ka pasur fjalë të ashpra ndaj Qeverisë Kurti në lidhje me hapat e ndërmarra në veri të Kosovës. Në një deklaratë publike, Katherine Brucker, e ngarkuar me punë në këtë mision, i ka quajtur këto veprime si të pakoordinuar dhe provokuese.

Ne kemi shprehur shqetësimin tonë lidhur me veprimet e pakoordinuara dhe provokuese të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës, të cilat kanë pasur efekt të drejtpërdrejtë dhe negativ ndaj pjesëtarëve të komunitetit etnik serb dhe komuniteteve tjera pakicë në Kosovë. Ata i vënë qytetarët kosovarë dhe ushtarët e KFOR të udhëhequr nga NATO në rrezik më të madh dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar” - theksohet në reagim.

Në fund të deklaratës, misioni i ShBA-së në OSBE ka theksuar se besojnë që dialogu duhet të përfundojë me njohje reciproke.

“Në fund të fundit, Shtetet e Bashkuara besojnë se normalizimi duhet të çojë në njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë” – thuhet në reagim.

Lajme të ngjashme