Hill shpreh keqardhje për bombardimin e Serbisë: S`jam i lumtur për këtë
Ambasadori i SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, ka shprehur keqardhje për bombardimin e Serbisë nga NATO në vitin 1999.
Ai ka thënë se personalisht nuk ndihet i lumtur që ka ndodhur një gjë e tillë para 23 viteve.
Diplomati i njohur amerikan ka thënë se Serbia dhe SHBA-ja mund të bëjnë më shumë se bashku.
“Më duhet t'ju kujtoj se kjo ka ndodhur 23 vjet më parë. Është njësoj sikur në vitin 1968 të flisnim për ngjarjet e vitit 1945. Mua personalisht më vjen shumë keq që kjo ka ndodhur në historinë tonë dhe nuk jam i lumtur për këtë”, ka thënë Hill në një intervistë për Telegrafin serb.
Me tej, ai ka thënë se të dy vendet duhet të shikojnë nga e ardhmja.
Sipas tij, të dy vendet ndajnë disa vlera të përbashkëta për botën.
“Në një moment njerëzit duhet të kthehen drejt së ardhmes, për të ecur përpara. Të përpiqesh të mësosh diçka nga e kaluara, por jo të jesh peng dhe skllav i së shkuarës. Erdha këtu pas 23 vitesh, me shpresën se mund të bëjmë shumë më tepër së bashku. Ne ndajmë disa nga vlerat dhe pikëpamjet e njëjta për botën dhe mendoj se duhet të përqendrohemi në këtë, dhe jo në diçka që ka ndodhur 23 vjet më parë”, është shprehur diplomati amerikan.