Hill bën thirrje për përmbajtje dhe fokus në dialogun e Brukselit
Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se dialogu i Brukselit është e vetmja rrugë përpara për të arritur përparim në marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës. Ai i ka bërë thirrje qeverisë së Serbisë dhe atë të Kosovës që të ndalojnë menjëherë veprimet që shkaktojnë tensione dhe mund të nxisin konflikt.
Siç shkruan mediumi serb "Tanjug", ambasadori Hill theksoi se liderët e të dyja palëve duhet të fokusohen urgjentisht në dialog dhe të gjejnë zgjidhje të përbashkëta për çështjet e tyre.
Ai gjithashtu njoftoi se ka qenë në kontakt me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të diskutuar ngjarjet në veri të Kosovës dhe ndikimin e tyre të mundshëm në të ardhmen e Serbisë.
Më shumë rreth zhvillimeve të fundit në Zveçan: Situata në veri, posaçërisht në Zveçan, para disa orëve ka eskaluar, teksa turme serbe ka sulmuar pjesëtarët e KFOR-it, të cilët po qëndronin përballë tyre. Nga e gjithë kjo situatë, kanë mbetur shumë të lënduar, ndërsa ka pasur edhe shumë reagime nga aktorë të ndryshëm.
Tashmë ka edhe komunikatë zyrtare nga KFORI, që tregon se sa persona janë lënduar. Gjithsej 25 ushtarë kanë mbetur të lënduar, sipas KFOR-it.
“Rreth 25 të plagosur nga kontingjenti shumëkombësh gjatë ndalimit të demonstruesve protestues që ndodhi në komunën e Zveçanit.” – thuhet në komunikatën e KFOR-it.
Tutje, KFOR-i njofton se pjesëtarët e saj të lënduar janë duke marrë përkujdesje mjekësore.
“Duke iu kundërvënë pjesëve më aktive të turmës, disa ushtarë të kontingjentit italian dhe hungarez të KFOR-it ishin objekt i sulmeve të paprovokuara dhe plagëve të marra trauma me thyerje dhe djegie nga shpërthimi i mjeteve ndezëse."
Të trajtuar me kohë nga njësitë mjekësore të KFOR-it, aktualisht janë nën vëzhgim nga personeli mjekësor i cili po vlerëson gjendjen e tyre.” – vazhdohet tutje në komunikatë.