Hill apo Kurti: Mbi 90% të lexuesve të Nacionales në Viber i besojnë ambasadorit për takimin e 18 gushtit
Deklarata e ambasadorit amerikan në Serbi, Christopher Hill se Serbia veproi mirë në takimin e 18 gushtit, por jo edhe pala tjetër, që nënkupton Kosova, është diskutuar përgjatë gjithë ditës së sotme.
Në lidhje me këtë, gazeta Nacionale ka hapur një sondazh në grupin në Viber, ku janë afër 12 mijë anëtarë.
“Kush po thotë të vërtetën për 18 gushtin?”, ka qenë pyetja e parashtruar nga Nacionale.
Deri më tani, 519 persona janë përgjigjur në këtë sondazh, ku 485 apo 93 për qind mendojnë se ambasadori Christopher Hill, ndërkaq 34 apo vetëm 6 për qind, mendojnë se kryeministri Kurti.
Kujtojmë se Hill deklaroi se Serbia ishte e përgatitur për raundin e fundit të dialogut Kosovë-Serbi, derisa pala tjetër, nuk u përgatit për specifika.
Ai pohoi se presidenti i Serbisë, mbërriti në takimin e tyre “për të negociuar dhe vërtetë bëri punët e shtëpisë.”
"Mendoj se ata [Serbia] vërtetë tentuan që të ishin fleksibil dhe për të gjetur zgjidhje”, tha Hill.
Në lidhje me këto deklarata, sot u përgjigj tërthorazi kryeministri Kurti.
“Ka qenë takim i liderëve dhe duhet të bisedojmë për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes për normalizim të plotë të marrëdhënieve dhe jo thjeshtë menaxhim të krizës për probleme eventuale. Në Bruksel kam qenë si kryeministër i Kosovës. Nuk kam qenë si prokuror, as si polic, as i gjykatës, as si shef i kadastrës”, ka deklaruar Kurti.
Kurti u duk se pranoi kritikën e Hillit se nuk kishte folur për tema specifike, por megjithatë ai pati një koment tjetër që duket se kundërshton të parin duke thënë se Serbia nuk kishte bërë propozime për kompromis.
“Deklarata se ka pasur propozime nga njëra palë dhe propozime për kompromis janë të pavërteta, ende kemi qenë të hapur mirëpo nga ndërtesa më herët ka dalur pala tjetër”, është shprehur ai.
Për t'u bërë pjesë e grupit të Nacionales në Viber, ju ftojmë të klikoni KËTU.