Hija e përsëritjes: Edhe një vit pas Banjskës, përmendet mundësia e sulmit të ri
Sot është shënuar përvjetor i parë i sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit, ku ra në krye të detyrës heroi Afrim Bunjaku. Përkundër që kanë kaluar 365 ditë, ende flitet për mundësinë e një sulmi tjetër – ndoshta të ngjashëm si në Banjskë – nga ana e grupit të Milan Radoiçiqit, i akuzuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës për sulmin e 24 shtatorit 2023.
Në vazhdimësi, liderë të ndryshëm institucionalë kanë ngritur alarmin gjatë këtyre 365 ditëve për mundësinë që sulmi të përsëritet prapë. Madje, një ditë para përvjetorit të Banjskës, ministri i punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përmendi “trajnimin dhe përgatitjen” e grupit të Radoiçiqit në Serbi.
Sipas tij, nuk dihet se kur do të ndodhë sulmi, megjithatë Sveçla siguroi se “përgjigja jonë do të jetë adekuate, shkatërrimtare”.
“Ata janë përgatit në Serbi. Momenti se kur do të sulmojnë nuk e kemi ditë, siç nuk e dimë as tash. Ne e dimë që ata po vazhdojnë të përgatiten, të trajnohen në Serbi, kur do të ndodh kjo, nuk e dimë. Megjithatë, edhe ne po përgatitemi që herëdo kurdo, përgjigja jonë të jetë adekuate, shkatërrimtare për ta” – tha ai.
Pak ditë para përvjetorit të parë të sulmit të armatosur në Banjskë, më saktë më 13 shtator, në një shkrim të gjatë, kryeministri Albin Kurti kishte folur në lidhje me kërcënimet nga Serbia.
“Serbia e drejtuar nga ministri i Millosheviqit, në bashkëpunim me Rusinë, po përgatitin kërcënime dhe ultimatume të reja në drejtim të Kosovës” – kishte shkruar, ndër të tjera, kryeministri Kurti.
Në të njëjtën linjë argumentimi ka qenë edhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci. Në disa raste, Maqedonci e ka përmendur rrezikun dhe kërcënimet e Serbisë, duke theksuar edhe gatishmërinë e Kosovës për t’u mbrojtur.
“Duke pasur parasysh që pas sulmit të 24 shtatorit pjesa më e madhe e grupit që drejtohej nga Radoiçiq janë larguar për në Serbi, normalisht rreziku brenda territorit tonë është zvogëluar. Por gjithmonë mbetet rrezik mundësia që grupe si grupi Radoiçiq, dhe vetë grupi Radoiçiq të zhvillojë ndonjë aktivitet të ngjashëm terrorist me synime politike, gjithmonë i mbështetur nga strukturat në Serbi. Përderisa grupi i Radoiçiqit dhe grupet tjera kriminale dhe terroriste qarkullojnë të lira në Serbia, për më tepër trajnohen dhe zhvillojnë aktivitetet atje, vlerësojmë që prapë mund të ketë rreziqe të ngjashme” – tha gjatë javës së kaluar Maqedonci.
Ndërsa edhe një analist i njohur amerikan e ka përmendur “rrezikun për eskalim”. Daniel Serwer, njohës i situatës në Ballkanin Perëndimor, deklaroi se Beogradi e ka bërë të qartë që janë të gatshëm për ta “destabilizuar situatën në Ballkan”.
“Absolutisht se ka rrezik për eskalim. Beogradi e bëri shumë të qartë vitin e kaluar, duke rrëmbyer dy policë të Kosovës, me sulmin kundër trupave të KFOR-it, me incidentin terrorist në Banjskë, që është i gatshëm për ta destabilizuar situatën në Ballkan. Këtë e bën për të përfituar dhe arritur qëllimet e tij. Kjo është një lloj politike intimidimi që Perëndimi dhe Prishtina kanë plotësisht të drejtë ta refuzojnë. Problemi është se si Uashingtoni, ashtu edhe Brukseli kanë dështuar të reagojnë siç duhet ndaj këtyre politikave intimiduese të Beogradit” – ka thënë Serëer, transmeton Koha.